Njësia për ndjekjen e krimit të organizuar dhe serioz pranë MPB-së, në bashkëpunim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në bazë të urdhrave të siguruara nga Gjykata Themelore Penale Shkup, ka kryer bastisje në disa lokacione në qytetin e Shkupit, ku janë arrestuar 11 persona për dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale “Fajde” dhe “Pastrim parash dhe përfitime të tjera nga vepër penale”.
MPB-ja ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori kundër B.K. (35), i cili aktualisht është në arrati, dhe kundër personave tashmë të arrestuar: Lj.Lj. (29), D.V. (29), A.T. (29), D.Lj. (32), M.V. (25), M.N. (36), A.T. (32), Z.A. (42), për të cilët ekziston dyshim i bazuar se si bashkautorë ose ndihmës kanë kryer dy veprat penale. Ndërsa M.K. (73), P.K. (41) dhe G.S. (46) dyshohen për veprën penale “Pastrim parash dhe përfitime të tjera nga vepër penale”.
Nga fillimi i vitit 2022 deri sot, nëntë prej të dyshuarve janë organizuar në një grup kriminal që merrej me dhënien e parave me interes, duke përfituar pasuri të pabarabartë në para, pasuri ose prona. Duke shfrytëzuar gjendjen financiare të viktimave, ata u kanë dhënë hua me kamatë nga 5% deri në 15% në muaj, e me çdo vonesë rritej përqindja. Kur viktimat nuk kanë mundur t’i kthejnë paratë, të dyshuarit u kanë kërkuar t’u dorëzojnë ose t’u kalojnë pronat që zotëronin në emër të ndonjërit prej tyre. Pagesat janë bërë drejtpërdrejt ose përmes llogarive bankare të të dëmtuarve në llogaritë e të dyshuarve.
Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme janë futur në llogaritë bankare ose në kasaforta, e më pas janë përdorur për t’u futur në rrjedha legale financiare. Ekziston dyshim i bazuar se gjatë kësaj periudhe, 12 të dyshuarit dhe një person juridik, si grup i organizuar kriminal, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme me mbi 125.033.527 denarë të fituara përmes veprës “Fajde”. Një pjesë e këtyre parave është përdorur për transaksione drejt llogarive të kompanive dhe individëve, për shpenzime personale, blerje të pasurive të paluajtshme dhe një jetë luksoze, ndërsa një pjesë e madhe është tërhequr në para të gatshme.










