Një javë larg nga raundi i dytë e zgjedhjeve lokale, nuk po mungojnë akuzat dhe mesazhet me retorikë më të ashpër mes partive politike.
VLEN tha se Levica nuk mund të mbajë ligjërata për bashkëjetesë dhe tolerancë, ndërkohë akuzoi BDI-në se po mbështet një parti anti-NATO që po e sheh si shpëtimin e fundit. VLEN thotë përgjigjia është dhënë me 19 nëntor
“VLEN me përbuzje e sheh përpjekjen e Levicës, një parti e njohur për gjuhën e urrejtjes, qëndrimet anti-NATO dhe retorikën ultranacionaliste, që të mbajë ligjërata për bashkëjetesë dhe tolerancë. Ironia është e dukshme – pikërisht ata që për vite me radhë e kanë helmuar opinionin me përçarje dhe primitivizëm politik, sot flasin për ‘shovinizëm’. Ironia e vërtetë është se BDI, përmes partnerit të tij të ri të koalicionit – Levicën, zgjodhi të mbështetë një parti anti-NATO, duke e përjetuar atë si shpëtimin e fundit për politikën. Ky kombinim i dëshpërimit dhe hipokrizisë mori përgjigjen e tij më 19 tetor, kur qytetarët me një mesazh të qartë u treguan derën të dyve“, tha VLEN.
Në anën tjetër, BDI akuzoi VLEN-in për siç thotë, zëvendësimin e shqiptarëve me serb në pozitat drejtuese të shtetit.
BDI tha se VLEN po feston humbjen dhe sipas tyre, historia njeh vetëm betejën e Gazimestanit në Fushë Kosovë ku serbët e mundur festojnë sot e kësaj dite betejën me otomanët në 1389. BDI tha se “sindroma e Gazimestanit” tani është e njohur edhe për VLEN-in.
“VLEN i zëvendëson shqiptarët me serb në pozitat drejtuese në qeverisje dhe në pushtetin ekzekutiv, sjellin bankën serbe në Maqedoni, manifestojnë me Dodikun në Shkup, Manastir, Kumanovë, rresthohen me Vuçiqin, turpërojnë Presidenten Vjosa Osmani, veteranët nga Kosova, etj.
Si në maj 2024, në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ashtu edhe në tetor 2025, VLEN feston humbjen. Historia njeh vetëm një rast tjetër të tillë, betejën e Gazimestanit në Fushë Kosovë ku serbët e mundur festojnë sot e kësaj dite betejën me otomanët në 1389.
Ky fenomen i festimit të humbjes quhet “sindroma e Gazimestanit” e njohuur deri dje vetëm për serbët, por nga sot edhe për VLEN, të cilët janë të kapluar nga bota serbe, e konfirmuar nga parlamenti europian”, tha BDI.










