Koalicioni VLEN ka reaguar pas rezultateve në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe aleatët e tij për fyerje ndaj shqiptarëve dhe për lidhje me partitë pro-ruse.
“Pas çdo disfate vjen shpërthimi i nervozës dhe këtë e pamë te Ali Ahmeti. I rrëzuar nga froni, ai doli të fyejë shqiptarët. Filloi me ‘zagarë’ dhe përfundoi me ‘Gazimestan’. Ky është Ali Ahmeti i vërtetë pa filtrin e propagandës dhe pa teleprompterin e Grubit,” tha VLEN në kumtesën e saj.
Sipas koalicionit, fitorja e VLEN-it në komunat Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë, si dhe epërsia në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë dhe Dollnen, “zhveshën përfundimisht patriotizmin e rremë të treshes në agoni Ahmeti–Taravari–Sela.”
VLEN gjithashtu kritikoi kandidatin e AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi, për bashkëpunim me partinë Levica.
“Kandidati i AKI-së, Arsim Dalipi, që premtoi të tërhiqej nga gara nëse kishte një votë më pak se Mendi Qyra dhe gënjeu publikisht, sot është në koalicion të hapur me partinë e Apasievit,” thuhet në kumtesë.
Koalicioni shton se Dalipi dhe aleatët e tij, Taravari dhe Sela, nuk kanë pasur kurrë një kauzë shqiptare.
“Sepse kush përqafohet me Levicën i kthen shpinën NATO-s, Perëndimit dhe vetë shqiptarëve,” thekson kumtesa.










