Trendy

Ardi Ismaili reagon pas fotos me kandidaten e LEVICËS: Takim i rastësishëm, jo konspiracion politik

Para 5 muaj

Pas publikimit të një fotografie nga portali Plusinfo, ku shihet në një tavolinë me kandidaten e partisë E Majta (Levica) për Tetovën, Katka Bozhinoska, ka reaguar publikisht Ardi Ismaili, shefi i marrëdhënieve me publikun në shtabin e kandidatit të BDI-së, Bajram Rexhepi.

Në reagimin e tij, Ismaili e cilëson fotografinë si pjesë të “makinerisë propagandistike të pushtetit”, duke theksuar se takimi me Bozhinoskën ka qenë “krejtësisht i rastësishëm dhe i paplanifikuar”.

“Fotografia është bërë në një kafene, në mes të ditës, në rrugën e Spitalit, teksa po prisja rezultatet laboratorike. Zonja Katka, e cila punon në Qendrën për Shëndet Publik në Tetovë, kishte dalë për kafe-pauzë. Takimi ishte i rastësishëm,” – theksoi ai.

Ismaili shtoi se e njeh Bozhinoskën prej më shumë se 20 vitesh, “shumë kohë përpara se të përfshihej në politikë apo të ekzistonte partia Levica”, duke ironizuar me ata që, sipas tij, po kërkojnë sensacione të panevojshme.

“Kjo disa ‘talebanëve politikë’ mund t’u duket skandaloze, por unë jam djalë qyteti dhe kam miq jashtë koloareve politike. Ata që s’kanë qenë askund para politikës, tani mendojnë se çdo kafe është konspiracion,” – ka shtuar ai.

Në fund të reagimit, Ismaili paralajmëron edhe veprime ligjore ndaj personit që ka bërë dhe shpërndarë fotografinë pa leje:

“Fotografuesi i paautorizuar është në proces identifikimi dhe do të përballet me kallëzim penal, në përputhje me Nenin 152 të Kodit Penal.”

Trending