Kandidatja e Levicës për Komunën e Tetovës, Katka Bozhinovska, ka konfirmuar publikisht se është takuar me kandidatin e BDI-së, Bajram Rexhepi, duke e përgënjeshtruar kështu vetë Rexhepin, i cili disa herë kishte mohuar se një takim i tillë kishte ndodhur.
Në reagimin e saj, Bozhinovska sqaroi se takimi është zhvilluar “në mes të ditës dhe në mes të qytetit”, duke theksuar se nuk ka as frikë e as turp nga ky takim.
“Tetova dhe Maqedonia Perëndimore janë treg ekskluziv i VLEN-i dhe i VMRO-së (ishte gjithmonë dhe ende është), jo i Levicës dhe i BDI-së. Matematika tenderuese është specialiteti i tyre. Ata i bëjnë pazaret e tyre politike pas dyerve të mbyllura, jo në mes të ditës, hapur në qendër të qytetit. Nuk kam as frikë e as turp nga sulmet dhe insinuatat tuaja, sepse ndërgjegjja ime është e pastër. Por nëse vazhdoni kështu, do të jem e detyruar t’ju përgjigjem me të njëjtën masë dhe në gjuhën që ju e kuptoni. Nuk ju frikësohem! P.S. Votuesit e mi – 3.298 sosh – mendojnë me mendjen e tyre, ndryshe nga tuajt. P.P.S. Faleminderit që po ma ngritni rejtingun, ju uroj një ditë të mirë.”, ka shkruar Bozhinovska.
Mediat kanë publikuar edhe fotografi nga takimi mes Rexhepit dhe Bozhinovskës, ku shihet i pranishëm edhe forumi i gruas i Levicës, si dhe një tjetër takim i shefit të PR-it të Rexhepit, Ardi Ismaili, me kandidaten e Levicës.
Ndërkohë, Bajram Rexhepi disa herë u përpoq t’i mohojë këto takime, duke insistuar se “nuk kanë ndodhur”.
Mirëpo, publikimi i fotografive dhe deklarata e hapur e Bozhinovskës e ka shndërruar këtë rast në një skandal zgjedhor që ka trazuar garën në Tetovë.











