Kompania ruse e naftës “Lukoil” ka pranuar një ofertë për blerjen e pasurive të saj ndërkombëtare, bëhet e ditur në faqen zyrtare lukoil.com. Sipas njoftimit, kushtet kryesore të marrëveshjes janë paraprakisht të dakorduara mes palëve, ndërsa “Lukoil” është angazhuar të mos zhvillojë negociata me blerës të tjerë potencialë.
Sipas burimeve ndërkombëtare, blerësi i mundshëm është “Gunvor Group”, një kompani tregtare me seli në Zvicër, e themeluar nga biznesmeni suedez Torbjorn Törnqvist dhe oligarku rus Gennadi Timçenko – i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin.
Timçenko ndodhet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Kanadasë, Japonisë dhe Australisë. Një ditë para se sanksionet amerikane të hynin në fuqi në vitin 2014, ai ia shiti pjesën e tij në “Gunvor” partnerit të tij suedez për të mbrojtur kompaninë nga pasojat ligjore dhe ekonomike.
Që prej asaj kohe, “Gunvor Group” deklaron se nuk ka asnjë lidhje me Rusinë dhe operon si një kompani e pavarur me kapital ndërkombëtar.
Marrëveshja e re, nëse finalizohet, pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në strategjinë e re të “Lukoil” për t’u përqendruar në aktivitetet brenda Federatës Ruse.










