Në shkollën fillore “Imri Elezi” në Shkup është shënuar një ngjarje e pazakontë dhe tejet e veçantë. Hunejs Kurtishi, një nxënës vetëm 10 vjeç, është bërë donatori i parë nga radhët e nxënësve në historinë e kësaj shkolle, duke dhuruar 300 000 denarë (rreth 5 000 euro), të cilat ai i kishte siguruar përmes aktiviteteve të tij në platformën YouTube.
Falë këtij kontributi, në shkollë janë vendosur kamera sigurie dhe janë implementuar kartelat elektronike të identifikimit, të cilat tashmë përdoren për hapjen e dyerve dhe regjistrimin e mësimdhënësve. Një investim konkret dhe i prekshëm, i bërë nga një fëmijë që ende është në fillimet e rrugëtimit të tij në arsim.
Nusret Kurtishi, babai i tij, që është edhe muzikat i njohur, përmes rrjeteve sociale, thekson se dëshira e Hunejsit ka qenë që të kontribuojë aty ku ai mëson dhe rritet dhe të jetë shembull për shokët dhe shoqet e klasës. Ai tha se ky veprim është bërë me nijetin për gjyshin dhe gjyshen, si shenjë kujtimi, falënderimi dhe dashurie.
Sipas babait të tij, Hunejsi ka dashur të tregojë se mirësia nuk ka moshë dhe se çdo fëmijë, me përkushtim dhe vullnet, mund të arrijë gjëra të mëdha. “Ai ka punuar me zemër dhe ka menduar gjithmonë se si të bëjë diçka të vlefshme për shkollën dhe për shoqërinë,” shprehet babai i tij.
Ky gjest ka ngjallur emocione të sinqerta dhe admirim në komunitetin shkollor. Mësuesit dhe nxënësit e kanë pritur me krenari dhe e shohin Hunejsin si një shembull të rrallë të maturisë, humanizmit dhe qëllimit të pastër.
Në një kohë kur shpesh kemi nevojë për shembuj të mirë, një fëmijë 10 vjeç nga Shkupi na kujton se mirësia mëson më shumë se çdo orë mësimi dhe se njeriu rritet më shumë kur ndan, sesa kur mban për vete.










