Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë në televizionin Pink TV, foli për një sërë çështjesh vendore e ndërkombëtare, nga takimi me Diana Hrkën dhe grevat e urisë në Serbi, te gjendja e ushtrisë, marrëdhëniet me SHBA-në dhe mundësia e një lufte të re midis Evropës dhe Rusisë.
Vuçiç tha se kishte telefonuar personalisht Diana Hrkën për ta bindur që të ndërpriste grevën e urisë, duke e përshkruar takimin si një bisedë të ndershme e të qytetëruar.
“E thirra vetë personalisht. Folem, për disa gjëra u pajtuam, për disa jo. Por njerëzit e ndershëm nuk publikojnë bisedat private”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se biseda ishte regjistruar pa autorizim, por askush nuk do të ndiqet penalisht për këtë.
Ai akuzoi mediat dhe kundërshtarët politikë për manipulim dhe politikë emocionale.
“Sot politika nuk është më fushë racionale, në epokën e rrjeteve sociale dhe platformave të fuqishme mediatike, njerëzit vendosin emocionalisht, jo racionalisht”, tha Vuçiç.
Duke iu referuar incidentit në Parkun “Pionir”, ai theksoi:
“I quajtën kriminelë, megjithëse nuk sulmuan askënd. Dikush hodhi një predhë në park, por askush nuk flet për këtë. Të gjitha argumentet logjike po përpiqen t’i mbulojnë me emocione iracionale”.
Vuçiç komentoi edhe tensionet ndërkombëtare, duke shprehur shqetësim për zhvillimet në Evropë.
“Duke i lidhur faktet, po arrij në përfundimin se lufta midis Evropës dhe Rusisë po bëhet gjithnjë e më e mundshme. Nuk është fjalë boshe,të gjithë po përgatiten për të”, tha ai, duke shtuar se Serbia duhet të armatosej me mençuri dhe të forcojë ushtrinë për të mbrojtur vendin.










