Trendy

Dëshmia që trondit Beogradin: Vuçiq i lidhur me ‘safari snajperësh’? Deklarata e Sheshel rikthehet në qendër të vëmendjes!

Para 4 muaj

Një deklaratë e vitit 2012, dhënë para Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) nga lideri ultranacionalist Vojislav Sheshel, është rikthyer në qendër të debatit publik. Sipas kësaj dëshmie, Sheshel ka pohuar se Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë si vullnetar në njësi paramilitare të komanduar nga Slavko Aleksiq gjatë rrethimit të Sarajevës, në zonën e Varrezave Hebraike – një vend ku, sipas raporteve ndërkombëtare, janë regjistruar raste të ashtuquajtura “safari snajperësh”.

Kjo akuzë e vjetër është ringjallur së fundi nga avokati serb Çedomir Stojkoviq, i cili përmes mediave sociale e ka rikthyer në vëmendje dëshminë e Sheshelit. Deri më tani nuk ka prova ligjore që ta lidhin drejtpërdrejt Vuçiqin me vrasjet e civilëve gjatë konfliktit në Bosnje, por diskutimi ka nxitur debat të gjerë brenda opinionit publik serb dhe rajonal.

Aleksandar Vuçiq, i lindur më 5 mars 1970 në Beograd, ka kaluar një karrierë të gjatë politike që nis me Partinë Radikale Serbe më 1993. Në vitin 1998 ai u emërua Ministër i Informatave në regjimin e Slobodan Millosheviqit. Pas ndarjes nga radikalët në vitin 2008, Vuçiq bashkëthemeloi Partinë Progresive të Serbisë së bashku me Tomislav Nikoliqin, duke u ngjitur me shpejtësi në majat e pushtetit.

Në vitin 2012 u bë zv.kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, ndërsa nga viti 2014 deri në 2016 shërbeu si kryeministër për dy mandate radhazi. Që nga viti 2017 mban postin e Presidentit të Serbisë, ku ka konsoliduar ndikimin mbi institucionet shtetërore dhe skenën mediatike.

Rikthimi i dëshmisë së Sheshelit ka hapur një cikël të ri pyetjesh mbi të kaluarën ushtarake dhe politike të Vuçiqit, por edhe mbi mënyrën se si Serbia e sotme përballet me hijet e së shkuarës.

Trending