Rreth 800 punonjës të ndërmarrjes publike “Parqet dhe Gjelbërimi” në Qytetin e Shkupit po përballen me një situatë të paprecedentë: po vjen muaji i tretë që nuk kanë marrë rrogë. Ajo që fillimisht u prezantua si “vonesë njëmujore” është shndërruar në krizë të vërtetë sociale, duke lënë qindra familje pa të ardhura dhe pa të drejtat elementare që u takojnë me ligj. Përveç mungesës së pagave, punonjësit prej javësh kanë mbetur edhe pa sigurim shëndetësor, një tjetër goditje që ua vështirëson jetën dhe i detyron të paguajnë çdo vizitë te mjeku me para nga xhepi, shkruan gazeta KOHA.
“Përveçse pa rrogë për tre muaj, kemi mbetur edhe pa sigurim shëndetësor. Çdo kontroll duhet paguar privat. Jemi shumë keq, kurrë s’kemi qenë në gjendje të tillë”, tregon një punonjës i ndërmarrjes. Situata rëndohet edhe më shumë nga kushtet nën çdo standard në barakat ku punonjësit qëndrojnë gjatë pushimeve të punës. Aty ku duhet të pushojnë, punëtorët përballen me lagështirë, shi që depërton brenda dhe mungesë serioze të ngrohjes.
“Në barakat ku qëndrojmë, shiu futet brenda. Ngrohja është e dobët. Më shumë rrezikohemi sesa pushojmë. Me vite nuk ka pasur asnjë investim serioz për kushtet e punës. Por kjo, të punojmë pa rrogë – është kulmi”, thonë punonjësit e zhgënjyer.
Ndërmarrja, e cila duhet të kujdeset për hapësirat publike gjelbëruese të kryeqytetit, në vend se të jetë shembull i korrektësisë institucionale, po përjeton një kolaps që rëndon drejtpërdrejt mbi shpatullat e punëtorëve të saj. Rreth 800 familje sot janë pa të ardhura, ndërsa institucionet dhe menaxhmenti ende nuk kanë dhënë një zgjidhje apo afat të qartë se kur do të paguhen rrogat e prapambetura.
“Bankat veç na lajmërojnë për pagesat e kredive që kemi marrë. Na kërcënojnë se do të aktivizojnë hipotekat nëse deri në gjysmën e dhjetorit nuk i shlyejmë detyrimet. Ndërkohë, dje kam dhënë 200 denarët e fundit që kam patur në xhep për fëmijët në shkollë. S’kam më as edhe 1 denarë. Fëmijët kërkojnë, nuk e mendojnë nëse kemi apo jo. Dhe s’kanë faj, sepse të shohin duke shku në punë, ndërsa rrogë nuk ke”, thotë një tjetër punonjës i ndërmarrjes “Parqet dhe Gjelbërimi”.
Punonjësit thonë se do t’i drejtohen Qytetit dhe Këshillit të ri të Shkupit pasi siç thonë, situata kërkon reagim urgjent dhe përgjegjësi – “sepse puna pa pagesë dhe pa kushte bazike nuk është vetëm shkelje e të drejtave të punëtorëve, por edhe turp institucional për kryeqytetin”. Ndryshe, të punësuarit e kësaj ndërmarrje, si dhe të kompanive të saj “Florakom” dhe “Luna”, në shtator organizuan protesta para ndërmarrjes dhe para barakave të Qytetit të Shkupit dhe në zyrën e ish-kryetares Danella Arsovska, ndërsa kërkonin që t’u paguhet paga për muajin gusht, regresi dhe shpërblimet jubilare për vitin 2022, si dhe shpërblimet e Vitit të Ri, që edhe pse me Ligj, të njëjtit nuk I kishin marrë. (koha.mk)





