Ditë më parë në qendrën më të madhe tregëtarë në Kosovë, Prishtina Mall personalitete të njohura të biznesit, politikës dhe showbizzit, u mblodhën në një gala mbrëmje. Të ftuarit derisa po shijonin ushqimet dhe pijet e servuara më shije, dëgjonin fjalimin e drejtorit të kësaj qendre tregtare, Fatmir Zymberi.
Zymberi, përplot ngazëllim po u sqaronte mysafirëve sebepin për të cilin ishin mbledhur për të festuar.
“Unë sot dua ta veçoj këtë mbledhi ku jemi ba bashkë, për diçka shumë ta madhe që ka ndodhur në Kosovë”, u drejtohej mysafirëve Zymberi.
Për Kosovën nuk po ndodhtë asgjë e madhe, por për Prishtina Mallin po.
Në këtë gala mbrëmje po festohej nënshkrimi i marrëveshjes mes kësaj qendre tregtare dhe IFC (International Finance Corporation) pjesë e grupit të Bankës Botërore për sektorin privat.
Marrëveshja e nënshkruar ishte dhënja e një kredie 75 milionë Euro për Prishtina Mall. Një festë e paparë për marrje kredie.
Periskopi ka kontaktuar Fatmir Zymberin, drejtorin e Prishtina Mall, për ta pyetur se për çfarë bëhet fjalë më konkretisht.
“Është një marrëveshje për zhvillim tutje të Prishtina Mall, që të bëjë me shumë investime tjera që do të ndodhin brenda objektit, me standarde të ndryshme, çertifikime, instalimi për ta shfrytëzuar energjinë diellore që do të jetë një projekt bukur i kushtueshëm pasi Prishtina Mall harxhon 17 megavat energji. Pastaj, ka shumë brende të reja që do të vijnë dhe që kanë standardet e veta e ne duhet me ua plotësu. Kjo është një kredi që mund të përdoret për 3-4 vjet, varësisht prej zhvillimit”, tha Zymberi për Periskopin.
Megjithatë, Zymberi iu shmang faktit se kredia do të përdoret pik së pari edhe për shlyerjen e borxheve të Prishtina Mall.
Me një kërkim të thjeshtë në faqen e IFC’së Periskopi ka gjetur dosjen zyrtare e IFC’së ku përshkruhehet se çfarë në të vërtet përfshinë kjo kredi për Prishtina Mall.
“Financimi i IFC-së do të ndihmojë në shlyerjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve të ndërtimit, në mbulimin e shpenzimeve për përshtatjen e hapësirave për qiramarrësit e rinj, në instalimin e paneleve diellore dhe në përmirësimin e efikasitetit operacional, si dhe do të përdoret për rifinancimin e kapitalit ekzistues.” thuhet në dosjen e IFC’së për kredinë e dhënë për Prishtina Mall (https://disclosures.ifc.org/project-detail/SII/49946/prishtina-mall).
Pra, thënë thjeshtë IFC po jep kredi që Prishtina Mall të paguajë borxhet e ndërtimit, të përgatisë hapësirat për dyqanet e reja, të instalojë panele diellore dhe të ulë kostot e funksionimit – ndërsa një pjesë e kredisë do të shkojë për të zëvendësuar borxhet e vjetra me kushte të reja.





