Në Turqi po qarkullon lajmi që ka tronditur botën shkencore dhe fetare: studiuesit pretendojnë se në zonën Durupınar, pranë malin Ağrı (Ararat), mund të jenë gjetur mbetjet e Anijes së Nuhut – objektit që prej mijëra vitesh mbetet një nga misteret më të mëdha të njerëzimit.
Sipas TimeTurk, gjatë punimeve në një rrugë pranë fshatrave Telçeker dhe Üzengili janë zbuluar fragmente qeramike dhe mostra toke. Analizat e kryera nga ekspertët e Universitetit AİÇÜ dhe Universitetit Teknik të Stambollit tregojnë se kampionet datojnë në periudhën e kalkolitit (5500–3000 p.e.s.), kohë që përputhet me epokën kur, sipas besimeve, ka jetuar Nuhu.
Studiuesit thonë se formacioni gjeologjik i Durupınar-it ka përmasa dhe formë identike me përshkrimet e anijes biblike. Madje skanimet nën tokë sugjerojnë ekzistencën e hapësirave që mund të kenë qenë “kate” të brendshme.
Megjithatë, pavarësisht entuziazmit, deri më tani nuk ka prova shkencore të pakontestueshme që të vërtetojnë përfundimisht se struktura është në të vërtetë anija e Nuhut. Shkencëtarë ndërkombëtarë kujtojnë se zona është përmendur edhe herë të tjera në të kaluarën si formacion natyror.
Pavarësisht kësaj, ekipi kërkimor kërkon që zona të merret nën mbrojtje dhe të ndërtohet një muze, duke e konsideruar vendin “unik në botë” dhe me potencial të madh për turizëm fetar dhe kulturor.
Hetimet pritet të vazhdojnë, por debati tashmë ka shpërthyer:
A është kjo prova më e afërt që bota ka pasur ndonjëherë me Anijen e Nuhut?










