Trendy

Syla: Autoritetet maqedonase ende pa përgjigje për kërkesën e OVL-UÇK-së për protestën në Shkup

Para 3 muaj

Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka njoftuar se më 13 dhjetor organizatat të dala nga lufta e UÇK-së në koordinim me organizatat në Maqedoninë e Veriut do të organizojnë protestë kundër padrejtësive që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protesta, sipas Sylës, ka karakter paqësorë si ato parapraket dhe pritet të nis me fillim në orën 13:00 në Sheshin Skënderbeu në Shkup.

Përkundër që OVL-UÇK ka adresuar kërkesat e domosdoshme për mbarëvajtjen e protestës në Shkup, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë ende asnjë përgjigje për një gjë të tillë.

“Ne kemi zhvilluar të gjitha procedurat sikur në shtetet e tjera, edhe në Shkup i kemi adresuar këto kërkesat tona për mbarëvajtjen e protestës. Fatkeqësisht deri më dje ende nuk kemi marrë një përgjigje pozitive nga Shkupi zyrtar për shfrytëzimin e hapësirës publike”, tha ai.

I pyetur për deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili tha se nuk e mbështet këtë protestë, .. tha se OVL-UÇK nuk i ka bërë ftesë Mickoskit për të marrë pjesë në këtë protestë.

“Këto deklarata nuk tregojnë unitet, por më shumë përçarje, prandaj për neve kanë qenë të papranueshme. Asnjëherë nuk kemi qëllim të ndikojmë në politikat e tyre të brendshme atje”, shtoi ai.

Mickoski tha se nuk e mbështet këtë marsh.

“Me këtë protestë po mundohen të mobilizohen para Kongresit të partisë. Kjo vetëm do të tregojë se në të ardhmen do të kenë shumë të vështirë të gjejnë partner koalicioni. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur që as VLEN nuk do ta mbështesë,” u shpreh Mickoski.

Trending