Valentina Gomez Noriega, e njohur për qëndrimet e saj të hapura islamofobike, nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e Presidentit amerikan Donald Trump për zgjedhjet në 31. distrikt kongresional në Teksas, të planifikuara për vitin e ardhshëm.
Gomez kishte shpresuar të merrte përkrahjen e Trumpit në garën brenda Partisë Republikane, por presidenti zgjodhi të mbështesë kongresmenin aktual John Carter, i cili tani ka gjasa të mëdha për të fituar sërish.
Megjithëse në garë ka edhe kandidatë të tjerë republikanë, Gomez bie në sy për deklaratat e saj ksenofobike në rrjetet sociale. Kulmi i veprimeve të saj islamofobike ndodhi në gusht, kur publikoi një video ku digjte librin e shenjtë të islamit, Kuranin, duke e shoqëruar me përshkrimin: “Do ta përfundoj islamin në Teksas.”
Ky akt u dënua gjerësisht nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të myslimanëve, liderë politikë dhe përdorues të rrjeteve sociale.
Vlen të theksohet se Gomez kishte humbur edhe në zgjedhjet e brendshme republikane në Missouri vitin e kaluar, ku u rendit pas pesë kandidatëve të tjerë.





