Në Gostivar kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë për kandidatët që pritet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa skena politike shqiptare në qytet po ndizet sërish.
Sipas informacioneve, Valbon Limani nga AKI është një nga kandidatët e paralajmëruar, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Selës në garë pritet të jetë Berat Jakupi. Nga ana tjetër, koalicioni Vlen ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe po kalkulon me disa emra të mundshëm, mes të cilëve përmendet edhe ish-kryetari i komunës, Nevzat Bejta.
Debati u intensifikua pas deklaratës së anëtarit të VLEN-it, Bashkim Hasani, i cili tha se zgjedhjet e fundit lokale në Gostivar “nuk sollën epilog”, duke theksuar se qyteti mbeti pa drejtim të qartë politik.
Hasani kujtoi se VLEN garoi me “një kandidat profesional, pa bagazh politik”, ndërsa edhe një kandidat i pavarur performoi shkëlqyeshëm, por “në mesin e qytetarëve nuk ekzistonte vullneti për ndryshim dhe ide të reja”.
Sipas tij, procesi po nis nga fillimi dhe me të është hapur sërish diskutimi për të ardhmen e Gostivarit. Ai theksoi se rikthimi në qendër të debatit publik i emrit të Nevzat Bejtës nuk është i rastësishëm, pasi “projektet e realizuara në të kaluarën flasin vetë edhe sot”.
Në përfundim të deklaratës së tij, Hasani shtroi pyetjen që tashmë po qarkullon gjerësisht në opinionin publik:
A ka nevojë Gostivari për një kandidat të dëshmuar me rezultate konkrete, apo qyteti duhet të kërkojë sërish alternativa të reja duke rrezikuar vite të tjera pa zhvillim?
Emrat zyrtarë pritet të konfirmohen në ditët në vijim, ndërsa gara lokale në Gostivar tashmë ka hyrë në fazën e parë të rivalitetit.





