Trendy

Tragjedi në Alpe: Alpinisti akuzohet që e la të fejuarën të ngrijë nën majën e malit

Para 3 muaj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Austrinë dhe komunitetin ndërkombëtar të alpinistëve. Prokuroria e Innsbruckut ka ngritur aktakuzë ndaj 39-vjeçarit Thomas Plamberger, i cili akuzohet se e ka lënë të fejuarën e tij, 33-vjeçaren Kerstin Gurtner nga Salzburgu, të vetme dhe të pambrojtur në kushte ekstreme në Grossglockner – maja më e lartë e Austrisë.

Sipas hetimeve, çifti kishte nisur ngjitjen në kushte tejet të vështira dimërore, me temperatura deri në –20°C dhe erëra të forta. Rreth 50 metra nën majë, Gurtner kishte mbetur e rraskapitur, e dezorientuar dhe e ngrirë. Në vend që të kërkonte menjëherë ndihmë ose të qëndronte me të, partneri i saj dyshohet se e ka braktisur dhe ka vazhduar lëvizjen.

Prokuroria pretendon se Plamberger, si alpinist me përvojë dhe organizator i turës, kishte detyrimin ta mbrojë dhe të kujdeset për partneren e tij, e cila nuk kishte pajisjen e përshtatshme për një ngjitje dimërore në alpe. Ai dyshohet se edhe pas kalimit të helikopterit të shpëtimit nuk e ka raportuar situatën, ndërsa thirrja e parë e ndihmës është bërë shumë vonë gjatë natës.

Kerstin Gurtner u gjet pa shenja jete nga ekipet e shpëtimit, duke u cilësuar viktimë e hipotermisë. Rasti ka hapur debat të madh në Austri për përgjegjësinë e alpinistëve të trajnuar kur marrin me vete persona më pak të përgatitur në terrene të rrezikshme.

Thomas Plamberger akuzohet për “vrasje nga pakujdesia e rëndë” dhe, nëse shpallet fajtor, përballet me deri në tre vite burg. Seanca gjyqësore është caktuar të mbahet në shkurt të vitit 2026.

Trending