Trendy

Elmazi: Komuna e Sarajit e fundosur, mbi 4 milion euro borxh

Para 3 muaj

Sot në një konferencë për media, kryetari i komunës së Sarajit Muhamet Elmazi informoi se komuna e Sarajit është e fundosur në borxh, njofton derveni.mk.

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Sot jam para jush për të paraqitur gjendjen reale të Komunës së Sarajit, gjendje të cilën ne si menaxhment i ri e kemi analizuar dhe dokumentuar gjatë më shumë se një muaji punë. Ashtu siç kam premtuar gjithmonë, detyrimi ynë parësor si administratë e re komunale ndaj qytetarëve do të jetë transparenca, prandaj sot flasim me fakte. Qytetarët e Sarajit meritojnë të dinë të vërtetën për mënyrën se si është menaxhuar kjo komunë për vite me radhë dhe pse komuna ka dështuar të ofrojë edhe shërbimet më bazike.

Gjatë analizës së brendshme në të gjitha sektorët, kemi konstatuar se komuna është marrë me një borxh të akumuluar prej 170 milionë denarësh, një barrë e rëndë mbi qytetarët dhe mbi çdo projekt që duhet të nisë në këtë komunë. Këto detyrime janë të dokumentuara dhe kanë emër të qartë: çerdhet i detyrohen 15 milionë denarë, NPK Saraj 28 milionë denarë, kompania AKCIOS për ndriçimin publik 5 milionë denarë, ndërsa NPK DELTA 3 milionë denarë.

Këto borxhe mbajnë të bllokuara xhirollogaritë e komunës dhe kanë pamundësuar ofrimin e shërbimeve elementare. Kjo gjendje është rezultat i shpenzimeve të pakontrolluara dhe vendimeve të papërgjegjshme që janë marrë për vite me radhë.
Në analizën e brendshme kemi zbuluar kontrata të dyshimta, marrëveshje të paarsyetuara dhe shpenzime të bëra PA KARAR. Janë praktika që nuk kanë asnjë lidhje me interesin publik dhe që e kanë futur komunën në kaos financiar. Të gjitha janë dokumentuar dhe organet kompetente janë njoftuar, sepse ky menaxhment i ri komunal nuk mbron askënd dhe nuk mbyll sytë përpara abuzimeve. Përmbaruesit janë ende aktivë dhe çdo ditë ekziston rreziku për bllokime të reja. Ky është realiteti që kemi gjetur, pra një komunë e zhytur në borxhe, dhe e paorganizuar.

Ajo që dua të them sot është se Saraji nuk do të menaxhohet më me logjikën e improvizimit dhe as me mendësnë se “dikush tjetër le ta zgjidhë problemin”. Ne kemi nisur vendosjen e rregullit financiar, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe ngritjen e transparencës në nivelin më të lartë. Çdo shpenzim, kontratë apo edhe vendim tashmë kalon në filtrin e përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Duke ju paraqitur këtë gjendje, ne vendosim sot pikën zero, pikën nga e cila Saraji fillon të ngrihet mbi llogaridhënie, mbi rend dhe mbi përgjegjësi.

Ne do ta nxjerrim komunën nga bllokadat, do të rikthejmë funksionimin normal dhe do të garantojmë përmbushjen e premtimeve, duke vendosur standardin e një administrate komunale që punon vetëm për qytetarët dhe në interes të qytetarëve, deklaroi para mediave kryetari Muhamet Elmazi./derveni.mk

Trending