Trendy

Osmani: Ligji i ri për “përfaqësim të drejtë” është i dobët dhe nuk e zëvendëson Balansuesin

Para 3 muaj

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ka kritikuar ashpër ligjin e ri për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, duke vlerësuar se ai nuk mund të jetë zëvendësim real i mekanizmit të Balansuesit, i cili deri më tani ka garantuar përfaqësim proporcional në administratën publike.

Sipas Osmanit, problemi themelor i ligjit të ri qëndron në faktin se ai nuk është më detyrues, por vetëm orientues, duke ia lënë zbatimin vullnetit të administratës dhe jo një mekanizmi të qartë ligjor.

“Ligji nuk vepron automatikisht si Balansuesi, por varet nga vullneti i institucioneve. Ai nuk e bllokon vendimmarrjen kur shkelet përfaqësimi i drejtë, por vetëm e regjistron shkeljen”, thekson Osmani.

Ai shton se ligji i ri vepron ex post, pra pasi shkelja ka ndodhur, dhe jo ex ante, për ta parandaluar atë. Për më tepër, mungojnë pasojat juridike të drejtpërdrejta për institucionet që nuk e respektojnë parimin e përfaqësimit të drejtë.

“Në vend që barazia të mbetet e drejtë kushtetuese dhe juridike, ky ligj e zhvendos atë në nivel të politikës publike, duke e bërë të negociueshme, të interpretueshme dhe të relativizueshme”, shprehet Osmani. Sipas tij, ligji i ri nuk garanton përfaqësim real, por vetëm menaxhim të përfaqësimit, duke krijuar hapësirë për shtyrje, improvizim dhe interpretime të ndryshme.

“Balansuesi funksiononte sepse nuk linte hapësirë për improvizim. Ky ligj lë vetëm hapësirë. Dhe kur ligji krijon hapësirë, pabarazia gjithmonë e shfrytëzon”, përfundon nënkryetari i BDI-së.

Trending