Katër komunat në veri, pas rikthimit të Listës Serbe kanë marrë vendim për të dalë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Këto vendime tashmë pritet t’i nënshtrohen shqyrtimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila do të vendosë për ligjshmërinë dhe zbatimin e tyre.
Kuvendi Komunal i Zveçanit ka miratuar me shumicë votash vendimin për daljen e kësaj komune nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, me 14 vota pro dhe një kundër, ku kundër ishte asamblisti i vetëm shqiptar në këtë kuvend, Ilir Peci, nga Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas tij, propozimi u hodh në votim nga kryetari i komunës, i cili theksoi se largimi nga Asociacioni është kërkuar që nga viti 2013.
“Gjatë mandatit tim ky vendim është votuar në favor të largimit. Unë kam qenë kundër, por vendimi u aprovua me shumicë votash. Tani gjithçka varet nga aprovimi ose jo nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka deklaruar Peci për KosovaPress.
Ai ka shtuar se në Kuvendin Komunal të Zveçanit janë 13 asamblistë nga Lista Serbe, një nga një listë tjetër dhe vetëm një asamblist shqiptar, duke theksuar se në këto rrethana nuk ka pasur mundësi reale për ta ndalur vendimin.
“Çdo vendim apo rregullore e nxjerrë gjatë mandatit tonë dyvjeçar e gjysmë, ata kanë tentuar ta rrëzojnë. Tani vendimi është në dorë të ministrisë dhe mbetet të shihet se çfarë vendimi do të merret”, ka thënë ai.







