Hoxha Labinot Maliqi ka reaguar publikisht lidhur me përdorimin dhe reklamimin e birrës së ashtuquajtur “jo-alkoolike” në Kosovë dhe Shqipëri, duke theksuar se kjo pije nuk konsiderohet e lejuar sipas parimeve të fesë Islame.
Sipas Maliqit, birrat që tregtohen si “pa alkool” në trojet shqiptare nuk janë realisht pa alkool, pasi standardet ushqimore ndërkombëtare lejojnë që ato të përmbajnë deri në 0.5 për qind alkool. Ai sqaron se, për shkak të procesit të fermentimit, kompanitë prodhuese shpesh e shënojnë përmbajtjen si 0.0%, ndonëse gjurmë alkooli mbeten të pranishme në produkt.
“Edhe kur përdoret procesi i çalkoolizimit, alkooli nuk hiqet plotësisht”, thekson Maliqi, duke u bazuar në burime të industrisë ushqimore dhe sqarime fetare që, sipas tij, konfirmojnë praninë reale të alkoolit në këto pije.
Duke iu referuar hadithit të Profetit Muhammed ﷺ: “Çdo gjë që deh me shumicë, edhe pakica e saj është e ndaluar”, Maliqi nënvizon se ky parim është pranuar unanimisht nga të katër medhhebet dhe ndalon konsumimin e çdo pijeje me natyrë dehëse, edhe nëse sasia e alkoolit është e vogël.
Ai shton se pas sqarimeve të mëhershme, disa besimtarë e kanë kontaktuar duke dëshmuar se kanë përjetuar gjendje dehjeje pas konsumimit të sasive të mëdha të birrave të quajtura “jo-alkoolike”, çka sipas tij e përforcon edhe më shumë qëndrimin fetar mbi këtë çështje.
Sipas Maliqit, përveç aspektit fetar, edhe nga pikëpamja morale dhe shoqërore, këto pije normalizojnë kulturën e konsumimit të alkoolit, pasi ngjajnë në shije dhe formë me birrën alkoolike dhe prodhohen nga të njëjtat kompani.
Në fund, ai thekson se birra “jo-alkoolike” nuk konsiderohet hallall për muslimanët dhe se reklamimi i saj si e lejuar është, sipas tij, mashtrues dhe fetarisht i papërgjegjshëm, duke u bërë thirrje besimtarëve që të qëndrojnë larg të ndaluarës dhe të dyshimtës.





