Shkruan: Halil Krasniqi, nënkryetar i PDSH-së
Me shkas …
Nga një e kaluar jo e largët deri te një e ardhme e afërt…
Menduh Thaçi e mban emrin dhe vulën. Ai ka qenë dhe mbetet personifikim i shqiptarit të vërtetë – në pamje, në sjellje dhe në artikulimin e brengave që na prekin si shoqëri.
Frymëzues, që na bënte krenarë me vizionin e tij të largpamësisë, fuqinë politike dhe ndikimin në të mirën e gjithëve. Sot, pas një distancë kohe, në çdo takim dhe bisedë flitet për të me admirim dhe respekt, ndërsa të tjerët ndjekin shembullin e tij.
E sotmja ?
Kur shpresa humbet dhe nuk pajtohesh me të tanishmen, gjithçka duket e zymtë dhe e mbrapshtë. Idea e parë që të vjen është: ku gabuam? A mund ta ndryshojmë gjendjen faktike në të cilën ndodhemi? Kështu nis kërkimi për një rrugëdalje.
Ecja në shtigje të ngushta e rrugica të vockla, me shpresën se do të dalësh në ndonjë rrugë më të gjërë , shpesh duket e kotë. Ndërsa je i vetëm në një labirint që të rrethon , dalja ka vetëm një mundësi , të kthehesh aty ku filluam së bashku, aty ku u ndamë herën e fundit, për të përkrahur dhe mbështetur fuqishëm të parin tonë dhe platformën politike – aty do të gjesh vetveten.
Ky reflektim, zakonisht lind tek njerëzit më të përvojshëm, por kur edhe gjenerata e mesme fillon të kujtojë dhe të thurë elozhe për kohën e lavdishme që patëm njëherë, bien kambanat: diçka pozitive dhe e mirë po vjen. Vazhdoni të flisni me zë dhe figurë, mos u ndalni, lartë e më lartë. Afrohuni me miq e shokë, bashkoni forcat, sepse e vërteta gjithmonë triumfon.
Në thelb, ky mendim i thellë tregon për zgjuarjen e ndërgjegjes së fjetur, për revoltën brenda vetes dhe për luftën që zhvillon personaliteti: e mira me të keqen, e drejta me të padrejtën, realja me mashtrimin dhe zhgënjimin. Është një betejë e vazhdueshme e vetëdijës me nën-dijën, ku e tanishmja kërkon të kaluarën për të ndërtuar një rrugëtim sa më të shpejtë drejt së ardhmes.
Për këtë, sot kemi nevojë për njëri-tjetrin, të bashkuar , duhet të rikthejmë buzëqeshjen mes miqve dhe shokëve, të rifitojmë besimin dhe shpresën si dikur, kur fjala e dhënë kishte peshë. Duhet të rikthejmë dinjitetin dhe respektin mjekut, administratorit, doganjerit, policit, drejtorit e ministrit , si dikur, kur kuadro të dëshmuar drejtonin me përgjegjësi dhe ishin në shërbim të qytetarëve.
Në ato kohë, për interesat tona vendosnim ne, duke mbajtur kokën lartë.
Nuk po flas për ato arritje të kohës që tashmë i kujtoni dhe i lavdëroni. Po flas për kërkesat fundamentale për të ardhmen tonë të përbashkët: kuvend dy dhomësh, ndarja e buxhetit, mundësi të barabarta në të gjitha institucionet dhe shumë të tjera. Të gjitha këto duhet të rregullohen me ligj, që gjeneratat e reja mos të përjetojnë fatin tonë.
Ne e njohim mirë kundërshtarin politik, kemi përvojë dhe histori; dimë, mundemi dhe kemi guximin të përballemi dhe të arrijmë aty ku dëshirojmë – jetësimin e aspiratave tona kombëtare.





