Trendy

Parlamenti zgjedh ministrat e ri, Bekim Sali dhe Muhamet Hoxha

Para 3 muaj

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, me shumicë votash, miratoi sot zgjedhjen e ministrave të rinj në Qeveri. Bekim Sali u zgjodh ministër për Çështje Evropiane dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër, ndërsa Muhamet Hoxha mori detyrën e ministrit për Mjedisin Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor. Seanca plenare nisi me shkarkimin e Orhan Murtezani nga posti i ministrit për Çështje Evropiane, vendim që nxiti debate të ashpra mes pushtetit dhe opozitës. Deputeti i ASH-së së Arben Taravari, Halil Snopçe, kritikoi qasjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke theksuar se priste të paktën një falënderim publik për Murtezanin.

Sipas Snopçes, fakti që Murtezani nuk dha dorëheqje, por u shkarkua, përçon një mesazh të fuqishëm se dështimi në euro-integrime nuk është personal, por i qeverisë.

“Mosdorëheqja e ministrit përçon mesazh se dështimi nuk është i tij, por i kryeministrit dhe qeverisë që nuk e kanë lejuar të marrë vendime konform funksionit që ushtronte. Do të ishte më burrërore që ministri vetë të jepte dorëheqje”, tha Snopçe, duke shtuar se posti i ministrit për Çështje Evropiane më shumë e ka degraduar Murtezanin sesa e ka afirmuar.

“Prisja nga kryeministri që së paku të shpreh një falënderim publik ndaj ministrit në fjalë dhe meqë kryeministri nuk bën një falënderim publik, kjo do të thotë se kryeministri nuk është i kënaqur me punën e tij. Nuk e di përse ministri nuk ka dhënë dorëheqje, duke e ditur se kjo ishte pjesë e marrëveshjes, por duhej të shkarkohet. Ky fakt neve na çon të supozojmë që z. Murtezani dëshiron të jep një mesazh, konkretisht kryeministrit dhe qeverisë. Ai dëshiron të jep mesazh për mossuksesin e tij nuk është fajtor asi vet, por kryeministri dhe qeveria, të cilët nuk e kanë lënë të merr vendime konfrom pozicionit që ushtron”.

Këtyre qëndrimeve iu kundërpërgjigj deputetja e VLEN-it Imërlije Saliu-Fetai, e cila theksoi se Murtezani ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë mandatit të tij. “Për herë të parë nisi miratimi i Agjendës Reformuese dhe u krijua një strukturë e qartë për zbatimin e saj. Murtezani siguroi komunikim të rregullt me BE-në dhe finalizoi programin IPA 3”, deklaroi Saliu-Fetai.

Nga opozita, deputetja e LSDM-së Jovanka Trençevska e cilësoi shkarkimin e Murtezanit si improvizim politik, duke thënë se Qeveria po tenton të mbulojë dështimin e saj në euro-integrime. “Nuk po shkarkohen ata që duhet, por dikush duhet të jetë viktimë. Në këtë rast, viktimë është Orhan Murtezani. Këto nuk janë reforma, por makijazh i rremë”, theksoi Trençevska, duke shtuar se standardi jetësor po bie dhe se qeveria nuk ka para për paga më të larta dhe rritje të pagës minimale.

Në vend të Murtezanit, kryeministri Mickoski propozoi Bekim Salin, duke theksuar përvojën e tij të mëparshme ministrore dhe njohjen e funksionimit institucional. “Resori i çështjeve evropiane kërkon punë sistematike, harmonizim dhe ndjekje të procedurave që burojnë nga dokumentet nacionale dhe evropiane. Pres qasje profesionale nga kandidati”, tha Mickoski. Për postin e ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Mickoski propozoi Muhamet Hoxhën, duke vlerësuar përvojën e tij dhe rolin e rëndësishëm të këtij dikasteri në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e ambientit.

Fjalë mbështetëse për kandidatët dhanë edhe deputetet e VLEN-it Imërlije Saliu-Fetai dhe Saranda Imeri Stafai, të cilat theksuan se bëhet fjalë për vazhdimësi politike dhe institucionale. Ndryshimet në Qeveri vijnë pas zgjedhjes së Izet Mexhiti si kryetar i Komunës së Çairit. Sipas marrëveshjes paraprake, posti i zëvendëskryeministrit ishte i rezervuar për Bekim Salin. Në rend dite të seancës plenare ishin edhe disa propozim-ligje dhe emërime të tjera, përfshirë çështje që lidhen me Bankën Popullore, huamarrje ndërkombëtare dhe ndryshime ligjore me procedurë të shkurtuar.

Trending