Trendy

Lista Serbe dënohet sërish me 30 mijë euro

Para 3 muaj

Lista Serbe është dënuar për herë të dytë me 30 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ky subjekt politik është konstatuar se ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për subjektet politike.

Lajmi është bërë i ditur përmes vendimit të publikuar nga PZAP, ndërsa ankesa ishte paraqitur nga subjekti politik “Kosovski Savez”.

“Me datë 23.12.2025, PZAP pranoi një ankesë të parashtruar nga subjekti politik Kosovski Savez, ku pretendohet se më 22.12.2025, aktivistët e këtij subjekti vërejtën se aktivistët e Listës Serbe në Komunën e Leposaviqit kishin vendosur materialin e tyre promocional në rrugën ‘24 Nëntori’, në vendbanimin Çukarak,” thuhet në ankesë.

Parashtruesi i ankesës ka vlerësuar se me këto veprime është shkelur rregullorja zgjedhore dhe ka propozuar që PZAP ta pranojë ankesën si të bazuar, duke shqiptuar dënimet përkatëse ndaj Listës Serbe, në përputhje me dispozitat ligjore.

Edhe të martën, PZAP-ja ka publikuar vendimin në të cilin ka njoftuar se ka gjobitur Listën Serbe me 20 mijë euro për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Lista Serbe është e detyruar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e bërit të këtij vendimi të plotfuqishëm.

Trending