Trendy

U mbajt Akademia Përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Hoxhë Jakup Asipit

Para 2 muaj

Dje, më 9 janar 2026, në Teatrin Shqiptar në Shkup, u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e shënimit të 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Hoxhë Jakup Asipit, figurë e shquar e besimit islam, moralit shoqëror dhe angazhimit kombëtar shqiptar.

Akademia u organizua nga Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS dhe Shoqata Edukative Vllaznia, duke mbledhur personalitete fetare, studiues dhe pjesëmarrës nga vendi, Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe diaspora.

Programi u hap me lexim nga Kurani nga Hfz. Asip Emërrllahu, ndërsa fjalën e mirëseardhjes e mbajti moderatori Arsim Jonuzi. Fjalë hyrëse, në emër të organizatorëve, mbajtën Rufat Sherifi, kryetar i Fondacionit AXIS, si dhe Milazim Mustafa, përfaqësues i Shoqatës Edukative Vllaznia.

Me fjalë përshëndetëse u paraqitën Hfz. Shaqir ef. Fetahu, Reis-ul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, dhe Naim ef. Tërnava, Myfti i Kosovës, të cilët vlerësuan lart kontributin fetar, arsimor dhe kombëtar të Hoxhë Jakup Asipit.

Në kuadër të akademisë u mbajtën kumtesa tematike nga personalitete fetare dhe studiues: Hoxhë Shaban Neziri (Kumanovë), Hoxhë Ibrahim Beqiri (Ferizaj), Muhamed Hanefi (Stamboll), Hoxhë Husamedin Abazi (Prishtinë) dhe Hoxhë Sabahudin Jashari (Tiranë), të cilët trajtuan dimensione të ndryshme të trashëgimisë fetare, morale dhe kombëtare të Hoxhë Jakup Asipit.

Programi u pasurua edhe me interpretimin e një ilahie kushtuar Hoxhë Jakup Asipit nga ilahistët Nderim Alimi, Nusret Kurtishi dhe Nafidan Miftari, si dhe me recital poetik të interpretuar nga aktori Arsim Fazlija.

Akademia u përmbyll me fjalën falënderuese në emër të familjes, të mbajtur nga Sadudin Asipi, i biri i Hoxhë Jakup Asipit, i cili shprehu mirënjohje për organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë përkujtim dinjitoz.

Pjesëmarrja e gjerë nga trojet shqiptare dhe diaspora dëshmoi vlerësimin institucional dhe shoqëror për figurën dhe veprën e Hoxhë Jakup Asipit, si dhe rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë së tij shpirtërore dhe kombëtare brezave të ardhshëm.

Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS
Shoqata Edukative Vllaznia

Trending