Trendy

Imeri: VLEN fiton bindshëm, Taravari mbetet opozita e vetme, BDI në fazë shpërbërjeje politike

Para 2 muaj

Saranda Imeri Stafai

Me mbylljen zyrtare të zgjedhjeve komunale në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe rivotimet në Vrapçisht dhe Gostivar, është vulosur një realitet i ri politik: VLEN është fituesi absolut i këtyre zgjedhjeve, ndërsa BDI përjeton humbjen më të rëndë në historinë e saj politike.
Me 10 komuna të fituara, shumica prej tyre qendra të mëdha dhe me peshë politike, VLEN konfirmohet si forca dominuese në pushtetin lokal dhe si adresë kryesore e besimit qytetar. Përballë këtij rezultati, koalicioni AKI arrin vetëm 5 komuna, ku dy fitoret kyçe, Gostivari dhe Vrapçishti, lidhen drejtpërdrejt me kandidaturat e Arben Taravarit, duke e nxjerrë qartë në pah faktin se BDI, edhe kur fiton, nuk fiton më me fuqinë e vet.


Gostivari mbetet komuna e vetme urbane e kontrolluar nga AKI, dhe edhe aty, BDI është thjesht bashkudhëtare, jo faktor vendimmarrës. Ky realitet e pozicionon Arben Taravarin si opozitën e vetme reale dhe serioze përballë VLEN-it, ndërsa BDI zhytet në një fazë të thellë rënieje, pa strukturë, pa energji dhe pa mbështetje qytetare.
Humbja e bastioneve tradicionale, braktisja e elektoratit dhe varësia nga partnerë më të vegjël dëshmojnë se BDI ka hyrë në një proces të pakthyeshëm shpërbërjeje politike, duke humbur rolin historik që kishte ndërtuar për më shumë se dy dekada.
Këto zgjedhje nuk ishin thjesht lokale. Ato shënuan fundin e një epoke dhe lindjen e një rendi të ri politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ku VLEN udhëheq, Taravari pozicionohet si alternativë opozitare, ndërsa BDI mbetet peng i së kaluarës së vet.

Trending