Trendy

Gjoba nga 100 deri në 5.000 euro! Ligj i ri për mbrojtje nga pirja e duhanit

Para 2 muaj

Do t’i dëgjojmë të gjithë ata që i prek Ligji për mbrojtje nga duhanpirja, përfshirë edhe komunitetin e biznesit, por nuk do të miratojmë një ligj hibrid që do të ishte i pazbatueshëm, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ai pohon se Projektligji, që tashmë është në debat publik përmes sistemit ENER, nuk është restriktiv, por është plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe se, ndryshe nga ligji i mëparshëm i miratuar më shumë se një dekadë më parë, tani do të zbatohet në të gjithë shtetin.

“Unë si inxhinier e dini se kurrë nuk krijoj procese ku rezultati ose përfundimi nuk dihet që në fillim”, tha Azir Aliu.

Nëse miratohet në këtë formë siç është propozuar, duhanpirja do të ndalohet brenda dhe rreth institucioneve publike, përkatësisht në çdo pronë shtetërore. Nuk do të lejohet duhani në asnjë objekt hotelerie, as në terrene sportive, qofshin të mbyllura apo të hapura, si dhe nuk do të lejohet asnjë lloj reklame, jo vetëm në mediat tradicionale, por as në ato online. Ndalimi vlen edhe për personazhet publike dhe influencuesit, të cilët nuk do të lejohen në asnjë mënyrë të promovojnë duhanpirjen, produktet apo pajisjet për duhan.
DUHANPIRJA DO TË NDALOHET NË:
• Të gjitha objektet e hotelerisë (kafene, bare, restorante, mejhane)
• Zyra, kompani dhe institucione
• Qendra tregtare, dyqane dhe tregje
• Spitale, shkolla, çerdhe dhe fakultete
• Transport publik dhe taksi
• Hapësira të përbashkëta në ndërtesa banimi (ashensorë, korridore)
• Automjete private nëse në to ndodhet fëmijë

Duhanpirja do të lejohet vetëm në tarraca të hapura dhe hapësira që janë të rrethuara vetëm nga njëra anë dhe të hapura nga tri anë.

DO TË NDALOHET:

• Reklamimi i cigareve, cigareve elektronike dhe pajisjeve
• Promocione, zbritje, dhurata dhe kuponë
• Influencuesit dhe personazhet publike të shfaqin duhanpirje
• Sponsorizimi i koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve sportive e kulturore nga kompanitë e duhanit
• Shitja përmes internetit, automatëve dhe shitja e cigareve individuale
• Shitja personave nën moshën 18 vjeç
• Shitja dhe prodhimi i duhanit dhe nikotinës me aroma dhe shije (mente, fruta, ëmbëlsira etj.)

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të takohen edhe me komunitetin e biznesit dhe do t’i dëgjojnë kërkesat e tyre, por nuk do të miratojnë një ligj të pazbatueshëm.

“Si ministër i Shëndetësisë nuk do të lejoj që jashtë politikave evropiane të krijojmë ndonjë ligj hibrid, sepse atëherë, që nga dita e parë, ligji nuk do të jetë funksional”, tha Aliu.

Arsyet pse po miratohet një ligj kaq i rreptë, sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, është se hulumtimi i vitit të kaluar, përveç faktit që ka zbuluar se 45% e popullsisë së rritur në vend pi duhan, tregoi shifra alarmante edhe tek të miturit.

“Cigaret përdoren nga 37,4% e djemve, ndërsa 40,3% përdorin cigare elektronike. Kjo është një përqindje shumë e lartë. Flasim për fëmijë të moshës 15-16 vjeç, madje edhe më të vegjël. Kjo na inkurajon të punojmë në këtë drejtim për t’u përballur me këtë pasojë jashtëzakonisht të dëmshme”, deklaroi Marija Andonovska.

Këto shifra janë nxjerrë nga një hulumtim i realizuar në të gjitha shkollat e mesme në Maqedoni.
Për mosrespektimin e Ligjit, i cili pritet të hyjë në fuqi nga muaji mars i këtij viti, parashikohen gjoba të larta, përfshirë edhe mbylljen tre mujore të objektit ku është konstatuar duhanpirja. Masa zbatohet menjëherë, pa pritur vendimin pas ankesës. Nëse një qytetar kapet duke pirë duhan, do të gjobitet me 100 euro në vend, ndërsa nëse nuk e paguan menjëherë, gjykata mund ta dënojë deri në 300 euro.

GJOBA
Nëse kafeneja, restoranti, dyqani ose media shkel ligjin:
Madhësia e firmës | Gjoba
• Person juridik i vogël: 2.000 – 3.000 €
• Person juridik i mesëm: 3.000 – 4.000 €
• Person juridik i madh: 4.000 – 5.000 €
Pronari ose menaxheri personalisht paguan: 1.500 – 2.000 €

Nëse një person pi duhan në hapësirë të ndaluar:
• Gjobë nga 150 deri në 300 euro
• Nëse kapet në vend: 100 euro menjëherë
• Nëse nuk paguhet brenda 8 ditëve, gjykata mund të shqiptojë gjobë tri herë më të lartë

Nëse inspektori konstaton duhanpirje në lokal:
• Tregtari individual mbyllet 30 ditë
• Firma (kafe, restorant, bar) mbyllet 3 muaj

Në vlerësimin për arsyet e miratimit të Ligjit, ndër të tjera thuhet se qëllimi është rritja e natalitetit.

VLERËSIM I GJENDJES NË FUSHËN QË DUHET TË RREGULLOHET ME LIGJ DHE ARSYET PËR MIRATIMIN E LIGJIT
-Përdorimi i duhanit gjithashtu ul pjellorinë dhe natalitetin, duke përkeqësuar më tej sfidat demografike si plakja dhe zvogëlimi i popullsisë. Ulja e konsumit të duhanit mbështet një normë më të lartë të natalitetit dhe një popullsi më të shëndetshme.

Trending