Trendy

Maqedonasit në Shqipëri kërkojnë të tërhiqet vendimi i qeverisë shqiptare për krijimin e qendrave për migrantë në Pustec

Para 2 muaj

Komuniteti maqedonas i Komunës Pustec, përmes partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian (MAEI), shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Qeverisë shqiptare për hapjen e tre qendrave për migrantë në territorin e kësaj komune, konkretisht në njësinë administrative Zrnosko dhe në fushat sportive në Pustec dhe fshatin Dolna Goricë, shkruan Fokus transmeton tetova1

Ky vendim bazohet në aktin normativ “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontingjentit për flukset e përziera migratore 2026–2028”, i publikuar në Fletoren Zyrtare, sipas të cilit, në rast krize, parashikohet krijimi i 20 qendrave për migrantë në territorin e Shqipërisë gjatë dy viteve të ardhshme. Këto qendra janë të parashikuara për migrantë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si vend tranzit drejt Bashkimit Evropian, tha në një takim me gazetarët në Korçë Vasil Sterjovski, lider i partisë, ku ishte i pranishëm edhe Atanas Ploça, zëvendëskryetar i Komunës Pustec.

MAEI dhe maqedonasit e kësaj komune dënojnë faktin që ky vendim u mor pa asnjë konsultim publik me banorët e komunitetit maqedonas në Pustec, pa përfshirjen e qeverisjes lokale dhe pa dialog me aktorët lokalë, duke shkelur rëndë parimet e autonomisë lokale, transparencës dhe demokracisë pjesëmarrëse.

Sterjovski theksoi se të tre lokacionet e parashikuara për qendrat ndodhen buzë Liqenit të Prespës, ndërsa e gjithë territori i Komunës Pustec është pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike, kulturore dhe turistike. Ai shtoi se Komuna Pustec është shpallur zonë turistike, ndërsa fshati Zrnosko është përfshirë nga vetë qeveria shqiptare në programin e 100 fshatrave turistike.

Maqedonasit e Prespës nuk kërkojnë qendra për migrantë, por investime konkrete në infrastrukturë, turizëm, bujqësi dhe zhvillim të qëndrueshëm, me qëllim që Prespa të transformohet në një destinacion të vërtetë turistik dhe të ndalet procesi i depopullimit të zonës.

Ata vlerësojnë se hapja e këtyre qendrave, në kombinim me mungesën totale të investimeve shtetërore, rrezikon të thellojë më tej emigracionin e banorëve të Komunës Pustec, duke rrezikuar seriozisht ekzistencën dhe vazhdimësinë e komunitetit maqedonas në këtë rajon.

Në emër të maqedonasve, MAEI kërkon nga Qeveria shqiptare heqjen e menjëhershme të Komunës Pustec nga lista për krijimin e qendrave për migrantë, planifikimin dhe realizimin e investimeve konkrete në infrastrukturë dhe zhvillimin lokal, duke marrë parasysh se territori i Prespës është lënë pas dore nga të gjitha qeveritë gjatë 35 viteve të fundit, theksoi Sterjovski.

Sipas tij, ky vendim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 16 të Ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili ndalon rreptësisht marrjen e masave shtetërore që ndryshojnë ose synojnë të ndryshojnë përbërjen demografike të njësive të qeverisjes lokale të banuara nga pakicat kombëtare.

Sterjovski paralajmëroi se vendosja e qendrave për migrantë në një komunë me popullsi autoktone maqedonase përbën një ndërhyrje demografike me pasoja afatgjata, e cila rrezikon seriozisht mbijetesën, identitetin dhe qëndrueshmërinë e këtij komuniteti, duke pasur gjithashtu ndikim negativ në zhvillimin e turizmit në rajonin e Prespës.

Ai njoftoi se MAEI do të përdorë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të mbrojtur të drejtat e komunitetit maqedonas në Komunën Pustec dhe i bën thirrje institucioneve shtetërore të respektojnë ligjin, mjedisin, identitetin dhe vullnetin e banorëve autoktonë të Prespës./tetova1

Trending