Në kohën kur presidenti Trump po përpiqet t’i detyrojë liderët europianë për Grenlandën, ata po e mendojnë të paimagjinueshmen: A po i vjen fundi aleancës 80-vjeçare? – pyet gazeta “New York Times” në një analizë të përplasjeve të fundit ndërmjet aleatëve transatlantikë për çështjen e ishullit danez.
Çfarë i ndodh aleancës diplomatike 80-vjeçare kur fuqia e saj kryesore kërcënon me pushtim ushtarak të një anëtari tjetër, zhvillon luftë ekonomike kundër të tjerëve dhe zotohet të kultivojë rezistencë politike dhe kulturore ndaj qeverive të tyre?
A është e dënuar aleanca të marrë fund?
Kjo pyetje po bëhet në kryeqytetet anembanë Europës, ndërsa liderët nxitojnë t’i kundërpërgjigjen fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, që po përshkallëzohet me shpejtësi për blerjen e Grenlandës, pavarësisht kundërshtimeve të njerëzve që jetojnë atje. Çështja më urgjente është nëse rezistenca ndaj ambicieve territoriale të presidentit Trump rrezikon të dëmtojë përtej çdo riparimi marrëdhënien e Europës me Shtetet e Bashkuara.
Disa liderë- si presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Lars Klingbeil, ministri i Financave i Gjermanisë – duken të gatshëm ta marrin përsipër këtë rrezik, duke i nxitur shtetet e Europës të shqyrtojnë përdorimin e një “bazuke” ekonomike si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të fundit të tarifave të presidentit Trump. Pritet që liderët nga e gjithë Europa të mblidhen në Bruksel këtë javë që të dalin me një përgjigje të përbashkët ndaj provokimeve të presidentit Trump.
Ndryshim rrënjësor
Vëzhgues veteranë të politikës europiane kanë thënë se aleanca ndërmjet Europës dhe Shteteve të Bashkuara që u formua pas Luftës së Dytë Botërore tashmë është ndryshuar rrënjësisht.
Ata kanë thënë për gazetën “The Times” se më nuk është aleancë e projektuar kryesisht për t’i çuar përpara interesat e demokracive me të njëjtën mendësi. Në vend të kësaj, është një marrëdhënie vetëm sipas kushteve të presidentit Trump – marrëdhënie në të cilën ai përdor levën që buron nga fuqia amerikane për t’i detyruar europianët t’ia përmbushin tekat.
“Të përdorësh atë që është në thelb luftë ekonomike me aleatët është e pashembullt në këtë mënyrë”, ka thënë Ian Lesser, i cili drejton zyrën në Bruksel të Fondit Gjerman Marshall, grup kërkimor.
Duket se ka një konsensus në pjesën më të madhe të Europës se kontinenti duhet të ndërtojë kapacitete të reja ekonomike dhe ushtarake që të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara. Por kjo do të marrë vite e vite, nëse jo dekada. Ndërkohë, bizneset dhe tregjet financiare të Europës do të jenë ende të ndërlidhura me fuqinë blerëse të konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara, dhe Ukraina do të ketë ende nevojë për armë amerikane që të mbrohet kundër Rusisë.
Në fakt, muaj të tërë përpjekjesh diplomatike për negocimin e një armëpushimi në luftën e Ukrainës vetëm sa kanë spikatur se NATO-ja, e cila u formua për mbrojtjen e Europës, nuk është e zonja të mbrohet prej agresionit rus pa garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara.
“Do të ishte marrëzi në një kohë lufte në Europë që të heqim dorë prej të gjitha llojeve të përfitimeve strategjike dhe operacionale që sjell aleanca”, ka thënë Lesser. “Por nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë më partner i besueshëm në aleancë, atëherë Europa duhet të bëjë diçka tjetër”.
Kjo përpjekje tashmë po zhvillohet ngadalë.
Alternativa
Në të njëjtën ditë që presidenti Trump kumtoi në mediat sociale kërcënimin e fundit për tarifa, Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, dhe Antonio Costa, presidenti i Këshillit Europian, ndodheshin në Paraguai për nënshkrimin e një marrëveshje të rëndësishme tregtare me një bllok vendesh të Amerikës Latine- një ujdi që ishte hartuar prej 25 vitesh.
Deri më tani, presidenti Trump i priste me dashamirësi paratë europiane për blerjen e armëve të prodhuara në Amerikë për Ukrainën dhe vendet e tjera në Europën Lindore. Dhe ai shkrihet teksa i befason të ashtuquajturit aleatë të tij, siç e demonstroi të shtunën kur njoftoi tarifa për një grup vendesh europiane, përfshirë Britaninë, nëse Grenlanda nuk u shitet Shteteve të Bashkuara.
Kjo ngre rreziqet për vendimet me të cilat po përballet Europa në ditët në vijim. Ajo duhet të zgjedhë sesa agresivisht do të përballet me presidentin Trump pa e ditur se çfarë do të bëjë presidenti amerikan, gjithnjë i paparashikueshëm.
“A është serioz? Çfarë bën Europa tani? Si reagon SHBA-ja?” – ka pyetur Lesser. “Do të ketë nga ata që thonë, ‘Në rregull, si do ta kalojmë këtë?’ A është e mundur thjesht të angazhohemi në asi lloj negociate ose investimi apo çfarëdo që të jetë, që do të çojë para çdo gjë radikale?”
Presidenti Trump e ka bërë të qartë tashmë se i sheh me përbuzje aleatët europianë të Amerikës.
Vërejtjet e dokumentit strategjik
Në Strategjinë e tij vjetore të Sigurisë Kombëtare, të publikuar muajin e kaluar, zyrtarët e administratës së presidentit Trump vunë në dyshim nëse disa vende europiane do të mbeten “aleatë të besueshëm” në të ardhmen.
Dokumenti pranoi se Europa është “strategjikisht dhe kulturalisht jetësore” për Shtetet e Bashkuara. Por shkruante se kontinenti përballet me “perspektivën e zymtë të zhdukjes së qytetërimit” nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndihmojnë “partitë patriotike evropiane” me mendësi të ngjashme – një frazë që kuptohet gjerësisht se nënkupton të djathtën ekstreme – të marrin pushtet.
Për europianët që janë përballur me këto pohime, kërcënimet e presidentit për blerjen e Grenlandës “me hatër” a “me zor” kanë gërryer më tej besimin që për dekada me radhë e ka thelbësuar aleancën me Shtetet e Bashkuara.
“Kthimi në nivelin e besimit që pamë më parë do të kërkonte, mendoj, ndryshim brezash”, ka paralajmëruar Rosa Balfour, drejtoresha e Carnegie Europe, një organizatë politike kërkimore. “Sulmi ndaj Europës nuk vjen vetëm nga një individ, e dini – është shndërruar në një ideologji”.
Me shpeshtimin e kërcënimeve të fundit për Grenlandën, më shumë zëra kanë filluar të nxisin veprime të vendosura.
Kundërpërgjigja europiane
Presidenti Macron, në një deklaratë gjatë fundjavës, u zotua se “asnjë frikësim apo kërcënim nuk do të na ndikojë – as në Ukrainë, as në Grenlandë, as kudo tjetër në botë”.
Ai i quajti “të papranueshme” kërcënimet e presidentit Trump për tarifa dhe u zotua: “Europianët do të përgjigjen të bashkuar dhe të koordinuar nëse ato konfirmohen. Ne do të sigurohemi që të mbështetet sovraniteti evropian”.
Të tjerë, si puna e kryeministrit britanik, Keir Starmer, kanë argumentuar për zgjidhje diplomatike dhe kanë paralajmëruar për rreziqet e ekzaltimit. “Ky është një instinkt i kuptueshëm, por nuk është efektiv”, u ka deklaruar gazetarëve Starmer të hënën në mëngjes. “Nuk ka qenë kurrë kështu. Mund t’i bëjë politikanët të ndihen mirë, por nuk bën asgjë për njerëzit që punojnë, vendet e punës, jetesa dhe siguria e të cilëve varen nga marrëdhëniet që ndërtojmë në të gjithë botën”.
Megjithatë, Balfour ka thënë se gjithnjë e më shumë liderë po fillojnë ta kuptojnë se kapitullimi ndaj kërkesave të presidentit Trump nuk është gjithmonë në interes të Europës. Në fakt, kjo shpesh i jep zemër presidentit Trump që të kërkojë më shumë lëshime.
Nëse kështu qëndron puna, kjo mund të ketë pasoja për aleancën me Shtetet e Bashkuara edhe nëse ajo mbijeton në të ardhmen
“Realiteti, mendoj, po zhytet në mendësinë e atyre njerëzve që kanë mbrojtur kujdesin, dialogun dhe ‘Le të dëgjojmë çfarë ka për të thënë Trump’”, ka thënë Balfour. “Mund ta ndjeni këtë lloj ndryshimi”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com










