Valbon Limani ka marrë zyrtarisht detyrën si kryetar i Komunës së Gostivarit, pas fitores në zgjedhjet e përsëritura lokale të 11 janarit, ku siguroi një epërsi prej 7.835 votash ndaj kundërkandidatit të tij. Marrja e mandatit u shënua me një pritje simbolike në qendër të qytetit, ku Limani u shoqërua nga qytetarë dhe mbështetës deri në objektin e komunës, ku u prit nga administrata komunale.
Pas hyrjes në kabinetin e kryetarit, Limani falënderoi qytetarët për mbështetjen e madhe, duke theksuar se ky mandat është rezultat i vullnetit të lirë qytetar dhe një përgjegjësi e shtuar për qeverisje të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. Ai u zotua se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Gostivarit, pa dallime politike apo etnike, duke vendosur në qendër transparencën dhe shërbimin publik.
Kryetari i ri paralajmëroi fillimin e menjëhershëm të realizimit të projekteve të mbetura pezull, të cilat tashmë janë të gatshme për zbatim. Në fokus të veçantë do të jenë investimet infrastrukturore, të cilat, sipas tij, përbëjnë bazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës në qytet dhe në vendbanimet rurale të komunës.
Mandati i ri i Valbon Limanit pritet të sjellë një fazë të re stabiliteti dhe zhvillimi institucional për Komunën e Gostivarit, nën drejtimin e një kryetari që gëzon mbështetje të gjerë dhe legjitimitet të plotë publik.










