Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për Arianit Sllamnikun, i dyshuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike. Ai akuzohet se në lokalin “Consulence” ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore për autizmin pa licencë dhe pa kualifikime profesionale, duke përshkruar terapive të pa verifikuara.
Gjithashtu, përmes komunikimit elektronik dhe telefonit, Sllamniku ka rekomanduar terapi të pa testuara për fëmijë të prekur nga spektri autik, duke pranuar pagesa për shërbimet e tij, pavarësisht se nuk kishte njohuri mbi efektet e tyre. Në lokalin e tij u gjet edhe një dëshmitar dhe medikamente të ndryshme që u sekuestruan.
“Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”, thuhet mes tjerash në njoftim.










