Shkencëtarët po ripërcaktojnë se çfarë janë të zonja të bëjnë bagëtitë pasi një lopë me emrin Veronika në Austri është parë duke përdorur mjete të ndryshme me një zotësi mbresëlënëse, raporton BBC.
Zbulimi, i raportuar nga studiuesit në Vjenë, sugjeron se lopët mund të kenë aftësi njohëse shumë më të mëdha sesa ishte menduar më parë.
Veronika, lopë që jeton në një fshat malor në një fshat austriak, ka vite ka përsosur artin e kruajtjes së vetes duke përdorur shkopinj, grabujë dhe fshesa.
Lajmi për sjelljen e saj përfundimisht rroku vëmendjen e specialistëve të inteligjencës së kafshëve në Vjenë, të cilët zbuluan se Veronika përdorte të dy skajet e të njëjtit objekt për punë të ndryshme.
Nëse do të donte ta kruante shpinën ose ndonjë zonë tjetër të zorshme për t’u arritur, do të përdorte skajin me brushë të fshesës.
Kur i duhej ndonjë prekje më e butë, si në barkun e ndjeshëm, do të përdorte skajin e lëmuar me dorezë.
Ky lloj përdorimi i mjeteve shihet rrallë në mbretërinë e kafshëve dhe nuk është dokumentuar kurrë më parë te bagëtitë. Dr. Antonio Osuna-Mascaro, nga Universiteti i Mjekësisë Veterinare në Vjenë ka thënë: “Nuk prisnim që lopët të ishin të zonja që të përdornin vegla dhe nuk prisnim që një lopë të përdorte një mjet si vegël multifunksionale. Deri më tani kjo është raportuar vazhdimisht vetëm tek shimpanzetë”.
Shimpanzetë, pos njerëzve, tregojnë gamën më të gjerë të përdorimit të veglave. Ato përdorin shkopinj për mbledhjen e milingonave dhe termiteve, dhe gurë për thyerjen e arrave.
Megjithatë, pavarësisht rreth 10 mijë viteve prej njerëzit jetojnë së bashku me bagëtinë, kjo është hera e parë që shkencëtarët dokumentojnë një lopë që përdor një vegël pune.
Studiuesit thonë se zbulimi i tyre tregon se lopët janë më të zgjuara nga sa mendojmë dhe se lopët e tjera mund të zhvillojnë aftësi të ngjashme, nëse u jepet mundësia.
Pronari i Veronikës, bujku Witgar Wiegele, shpreson që talentet e saj të papritura do t’i frymëzojnë njerëzit që ta vlerësojnë botën natyrore.
Siç e thotë fermeri organik: “Ruani natyrën, pastaj mbroni veten. Diversiteti natyror është çelësi për të mbijetuar në këtë planet”.
Studimi është botuar në revistën “Current Biology”.





