Aksidentet në vendin e punës mbeten një problem serioz në Maqedoni. Çdo vit mbi 200 punëtorë lëndohen, ndërsa më shumë se dhjetë humbin jetën. Në periudhën nga viti 2021 deri në fund të vitit 2025, numri i aksidenteve të regjistruara ka kaluar një mijë, çka thekson nevojën urgjente për standarde dhe kontrolle më të mira të sigurisë.
Vetëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë ndodhur 242 aksidente, prej të cilave 12 kanë përfunduar me fatalitet, duke treguar se problemi po përkeqësohet me kalimin e viteve.
Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit (SGIP) dhe nënkryetar për sektorin privat në LSM, thekson se sektorët më të rrezikshëm janë ndërtimtaria dhe bujqësia, ku punëtorët janë më së shumti të ekspozuar ndaj rrezikut serioz.
Sipas tij, numri i punëtorëve të lënduar në ndërtimtari rritet nga viti në vit, ndërsa mesatarisht mbi 20 aksidente përfundojnë me vdekje çdo vit. Shkaqet kryesore të aksidenteve janë të shumta: pajisje personale mbrojtëse e papërshtatshme ose e munguar, makineri të pasigurta, mungesë kuadri të mjaftueshëm ose të kualifikuar dhe presion mbi punëtorin që të mos refuzojë punën edhe kur siguria e tij është e rrezikuar.
“Sindika e ndërtimtarisë, industrisë dhe projektimit pranë LSM-së shënon çdo vit një numër gjithnjë e më të madh të punëtorëve të lënduar. Gjatë viteve të fundit, aksidentet me përfundim fatal mesatarisht janë mbi 20 në vit, kryesisht në sektorët e ndërtimtarisë dhe bujqësisë. Miratimi i Ligjit të ri për siguri dhe shëndet në punë po shtyhet vazhdimisht. Deri kur? Deri pas miratimit të Ligjit për Marrëdhënie Pune. Edhe pse ekziston një lidhje e ngushtë mes legjislacionit të punës, sipas SGIP-së nuk duhet pritur më për një ligj të ri dhe të zbatueshëm për sigurinë dhe shëndetin në punë”, deklaron për “Fokus” Ivan Peshevski.
Përveç ndërtimtarisë, një numër i konsiderueshëm lëndimesh regjistrohen edhe në bujqësi, industrinë metalike, pylltari, komunikacion dhe transport. Sipas Peshevskit, një problem i madh është fakti se në dokumente zyrtare pothuajse nuk ka persona me sëmundje profesionale, ndërkohë që në praktikë numri i tyre po rritet.










