“Nevoja për takim me Ahmetin ‘u zhduk’ pasi VMRO-DPMNE, pa BDI-në, siguroi shumicën prej dy të tretash për Ligjin për Kundërvajtje, si dhe shumicën e Badenterit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, dhe pasi lideri i BDI-së shkeli gjithçka që premtoi”, thonë në VMRO-DPMNE
Shkup, 27 janar – “Do të ketë takim ndonjëherë”. Kështu shkurt është përgjigjur kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur nëse së shpejti do të ketë takim kokë më kokë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, të paralajmëruar që nga takimi i liderëve i zhvilluar dy javë më parë. Megjithëse Mickoski i ik përgjigjes direkte, në VMRO kanë thënë se nevoja për një takim Mickoski-Ahmeti është “avulluar” pasi shumica parlamentare, pa BDI-në, siguroi shumicën prej dy të tretash për Ligjin për Kundërvajtje, si dhe shumicën e Badinterit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Nuk e besojmë se do të ketë një ftesë të shpejtë për takim nga Mickoski drejtuar Ahmetit, sepse Mickoski aktualisht nuk po i jep përparësi një takimi kokë më kokë sidomos tani pasi kaloi ngërçi në Parlament për dy çështje të rëndësishme, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë për “Slloboden Peçat”. Kthesa, siç thuhet, ndodhi pasi BDI e mbajti premtimin që doli nga takimi i liderëve – se do të mbështeste Ligjin për Kundërvajtje dhe se do të siguronte shumicën e Badinterit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
“Për momentin, nuk ka njoftim për takim midis Mickoskit dhe Ahmetit. Realisht, nuk ka nevojë që ata të takohen. Nevoja për takim me Ahmetin ‘u zhduk’ pasi VMRO-DPMNE, pa BDI-në, siguroi shumicën prej dy të tretash për Ligjin për Kundërvajtje, si dhe shumicën e Badenterit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, dhe pasi lideri i BDI-së shkeli gjithçka që premtoi”, citon “Slloboden Pechat deklaratën e një zyrtari qeveritar të VMRO-së.
Pas takimit të liderëve, kreu i BDI-së premtoi në parim mbështetje për Ligjin për Kundërvajtje në mënyrë që të fillojë zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, ndërsa Mickoski më pas deklaroi se ishte i bindur se çështjet urgjente të hapura do të zgjidheshin shpejt, siç është zgjidhja akute e ndryshimeve në Ligjin për Kundërvajtje, të cilat kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Parlament. Pas kësaj, ai madje shtoi se Ahmeti kishte premtuar mbështetje të pakushtëzuar për “Qytetin e Sigurt”.
Mbështetja si për “Qytetin e Sigurt” ashtu edhe për Avokatin e Popullit, duhej të koordinohej midis koordinatorëve të grupeve parlamentare, udhëheqësit e të cilëve ishin në takimin e liderëve. BDI fillimisht dha pëlqimin e saj për Ligjin për Kundërvajtje, pastaj u pendua dhe në seancën plenare – tërhoqi mbështetjen e saj. VMRO-DPMNE, në vend të BDI-së, siguroi mbështetjen e dy të tretave dhe shumicën e Badenterit me ndihmën e deputetëve të pavarur, Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljaz, dy deputetë që fituan mandate si pjesë e Frontit Evropian, të kryesuar nga BDI. (koha.mk)










