Trendy

Trumpi e paralajmëron kryetarin e Mineapolisit: Po luan me zjarr

Para 7 ditë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi të mërkurën kryetarin e qytetit Jacob Frey se ai “po luan me zjarr”, pasi politikani demokrat tha se qyteti i tij nuk do t’i ndihmonte agjentët federalë për ta zbatuar ligjin për migrimin.

Tensionet mbetën të larta në Mineapolis, ku vëzhguesit dhe aktivistët thonë se bastisjet kundër imigrantëve duket se kanë qenë më me shënjestra e më pak përleshje gjatë 24 orëve të fundit. Qytetit është zhytur në trazira, pasi dy shtetas amerikanë u qëlluan për vdekje nga oficerët federalë, përfshirë vrasjen e infermierit Alex Pretti të shtunën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Administrata e Trumpit ka sinjalizuar se do ta zbutë qasjen e vet, duke e dërguar shefin e kufirit, Tom Homan, për ta marrë nën kontroll operacionin nga Gregory Bovino, zyrtari i Patrullës Kufitare, taktikat agresive të të cilit kanë nxitur kritika të gjera.

Një zyrtar i lartë i administratës së Trumpit tha se arritja e Homanit do të shënojë një ndryshim drejt operacioneve më të shënjestruara e më tradicionale në krahasim me bastisjet e gjera që i ka udhëhequr Bovino në disa qytete. Megjithatë, mbeti e paqartë se sa shumë do të ndryshojë situata në qytetin ku agjentët federalë janë përleshur rregullisht me protestuesit.

Të mërkurën, agjentët e agjencisë ICE u panë në disa pjesë të qytetit duke lëvizur para shtëpive dhe bizneseve me një autokolonë prej tri automjetesh me gjashtë deri në tetë agjentë gjithsej, pastaj duke trokitur në dyer dhe duke shikuar rreth e rrotull, me gjasë duke kërkuar një person specifik.

Nëse ai person nuk mund të gjendej, sipas vëzhguesve, agjentet shiheshin duke u larguar. Në javët e fundit, agjentët mund të fillonin që të ndalnin njerëz në mënyrë rastësore dhe të kërkonin dëshmi për statusin ligjor, veprim që e ka zemëruar komunitetin dhe ka sjellë ballafaqime të tensionuara.

Në një zhvillim tjetër, Ministria e Jashtme e Ekuadorit i dërgoi një notë proteste Ambasadës së ShBA-së në Quito, pasi kjo ministri tha se një agjent i ICE-së u mundua të hynte në konsullatën ekuadoriane në Mineapolis të martën.

Trending