NJOFTIM PËR PUBLIKUN
Parku Kombëtar Mali Sharr e informon publikun se në territorin e parkut aktualisht është e pranishme rrezikshmëri e lartë nga ortekët, veçanërisht në pjesët e malit që ndodhen në lartësi mbidetare mbi 1700 metra.
Rritja e rrezikut nga ortekët është rezultat i një kombinimi specifik të kushteve të motit, duke përfshirë temperaturën e ajrit, drejtimin dhe fuqinë e erës, si dhe reshjet e borës gjatë ditëve të fundit. Këta faktorë, në kombinim me karakteristikat relievore të terrenit, krijojnë kushte për paqëndrueshmëri të shtresës së borës dhe shfaqje të ortekëve.
Pas marrjes së njoftimit nga operatori i skijimit të lirë me ratrakë “Eskimo Sport” për një ortek të vërejtur në zonën e parkut, një ekip i Parkut Kombëtar Mali Sharr doli në terren dhe kreu inspektim në lokacionin ku kishte ndodhur orteku. Më herët, një ekip i operatorit “Eskimo Sport” kishte kryer kërkime në terrenin e ortekut me përdorimin e pajisjeve për kërkim në ortekë, me ç’rast u konstatua se në ortek nuk kishte persona të mbuluar që posedonin pajisje orteku, ndërsa deri në këtë moment nuk ka raportime për persona të zhdukur. Fatmirësisht, ngjarja ka kaluar pa viktima njerëzore.
Paralelisht me inspektimin në terren, u realizua edhe një analizë profesionale e stabilitetit të shtresës së borës nga një ekip ekspertësh i një institucioni arsimor të specializuar për sigurinë në turizmin malor. Sipas vlerësimit të kryer, u konstatua një nivel i lartë i rrezikut nga ortekët – shkalla 4, sipas shkallës evropiane për vlerësimin e rrezikut nga ortekët
(5 – shumë i lartë, 4 – i lartë, 3 – i konsiderueshëm, 2 – i moderuar, 1 – i ulët).
Parku Kombëtar Mali Sharr paralajmëron të gjithë vizitorët që të veprojnë me kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zona potencialisht të rrezikuara nga ortekët, si dhe të mos lëvizin në pjesët më të larta të malit pa shoqërimin e personave të kualifikuar dhe të trajnuar profesionalisht. Njëkohësisht, u bëhet thirrje vizitorëve që vizitën e tyre ta raportojnë në mënyrë të saktë dhe në kohë përmes faqes zyrtare të internetit të parkut.
Shërbimi profesional i Parkut Kombëtar Mali Sharr, në bashkëpunim me operatorët turistikë dhe ekspertët e ortekëve, do të vazhdojnë të monitorojnë gjendjen në terren dhe do ta informojnë publikun në kohë për çdo ndryshim që lidhet me rrezikun nga ortekët.
Ju rikujtojmë se bukuritë dimërore të Malit Sharr përbëjnë një atraksion të jashtëzakonshëm natyror, por njëkohësisht kërkojnë nivel të lartë përgjegjësie, informimi dhe respektim të reptë të parimeve të sigurisë dhe rregullave për lëvizje në zonë të mbrojtur. Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se rreziku nga ortekët është një dukuri e vështirë për t’u parashikuar, e cila kërkon ekspertizë të konsiderueshme dhe vlerësim të kujdesshëm të kushteve të terrenit dhe të motit.
Parku Kombëtar Mali Sharr u bën thirrje të gjithë vizitorëve që sigurinë personale ta vendosin në radhë të parë dhe të kontribuojnë në përdorimin e sigurt, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të malit.










