Trendy

Zelensky pret nisjen e armëpushimit, falenderon Trump

Para 6 ditë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të enjten se pret që të zbatohet marrëveshja sipas së cilës Rusia nuk do të godasë Kievin dhe qytete të tjera për një javë, për shkak të kushteve të ashpra dimërore, siç u njoftua nga presidenti amerikan Donald Trump.

Zelensky theksoi se ditët në vijim do të tregojnë nëse Moska do ta respektojë realisht këtë marrëveshje.

“Ekipet tona e diskutuan këtë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ne presim që marrëveshjet të zbatohen”, shkroi Zelensky në anglisht në platformën X.

“Hapat për de-përshkallëzim kontribuojnë në progres real drejt përfundimit të luftës.”

Menjëherë pas kësaj, në fjalimin e tij të përnatshëm me video, presidenti ukrainas falënderoi Uashingtonin për iniciativën, të cilën e përshkroi si një ndalim të sulmeve ruse ndaj objektivave energjetike.

“Faleminderit palës amerikane për përpjekjet e saj për të siguruar ndalimin e goditjeve ndaj energjisë (objektivave) në këtë periudhë dhe le të shpresojmë që Amerika të ketë sukses në këtë drejtim”, tha ai.

“Do të shohim se cila do të jetë situata reale me objektet tona energjetike dhe qytetet në ditët dhe netët që vijnë”, shtoi Zelensky.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar të mos kryejë sulme ndaj Kievit për një javë, për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta në Ukrainë.

Deklarata vjen në një kohë kur Rusia ka përdorur prej vitesh si taktikë goditjen e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, veçanërisht gjatë dimrit, në luftën që po shkon drejt vitit të katërt.

“Personalisht i kërkova presidentit Putin të mos qëllojë Kievin dhe qytete të tjera për një javë dhe ai ra dakord”, tha Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit, duke përmendur “të ftohtin e jashtëzakonshëm” në rajon.

“Ishte shumë mirë. Shumë njerëz më thanë: ‘Mos e humb thirrjen, nuk do ta marrësh këtë’. Por ai e bëri”, shtoi Trump.

Trending