Trendy

Arjanit Hoxha pas shkrirjes në BDI: Për njët të ardhme ku zëri ynë dëgjohet dhe respektohet

Para 2 muaj

Arjanit Hoxha, deri dje kryetar i Partisë Demokratike Evropiane, është zgjedhur nënkryetari i gjashtë i Bashkimit Demokratik për Integrim. Vendimi është marrë sot nga Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së, i cili miratoi propozimin e kryetarit Ali Ahmeti që Hoxha të marrë këtë detyrë të lartë partiake, përcjell tetova1

Së bashku me të, edhe tetë anëtarë të PDE-së janë emëruar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, duke formalizuar kështu bashkimin politik mes dy subjekteve. Një muaj më parë, në Kongresin e partisë, për nënkryetarë të BDI-së ishin zgjedhur Bujar Osmani, Faton Ahmeti, Arbana Pasholli, Erkan Arifi dhe Artan Bilalli Zendeli. Me emërimin e Hoxhës, BDI për herë të parë bëhet me gjashtë nënkryetarë.

Menjëherë pas vendimit, Arjanit Hoxha reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë hap si nisje të një kapitulli të ri politik.

Postimi i plotë i Arjanit Hoxhës:

Sot u përmbyll një kapitull që nuk ka qenë as i lehtë e as i shkurtër, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri. Me propozim të Kryetarit z. Ali Ahmeti dhe me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, më është besuar përgjegjësia për të ushtruar detyrën e Nënkryetarit të BDI-së.

Ky proces shënon nisjen e një rruge të re duke pasur vazhdimësi kauzën time kombëtare: përfaqësimin e denjë, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi në kuadër të BDI-së, së bashku me shokët që u zgjodhën sot anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe që më kanë ndjekur në këtë rrugëtim politik, është dëshmi e bindjes sonë se vetëm të bashkuar mund t’i mbrojmë, t’i avancojmë dhe t’i përmbushim plotësisht të drejtat e shqiptarëve.

Ky hap nuk është për pushtet personal.
Është për përgjegjësi më të madhe.
Për angazhim më të fortë.
Për një të ardhme ku zëri ynë dëgjohet dhe respektohet.

Rruga vazhdon. Kauza mbetet e njëjtë.
Forca jonë është bashkimi, ka shkruar Hoxha./tetova1.mk

Trending