Deputetja Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të ASH-së, Arben Taravari, pas deklaratës së tij për zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dauti e ka akuzuar Taravarin për standarde të dyfishta dhe për heshtje ndaj vendimeve që, sipas saj, kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve, përcjell tetova1
Reagimi i Dautit erdhi pasi Taravari e cilësoi Stoilkoviqin si person me lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet sekrete serbe dhe ngriti “alarmin e kuq” për ndikimin e tij në qeveri. Deputetja e ASH-së thekson se pikërisht Taravari dhe partnerët e tij qeveritarë kanë votuar programin dhe vendimet që sot i kritikojnë.
Postimi i plotë i Ilire Dautit:
“Kur ne dhamë alarmin e kuq për lidhjet e Zv.Kryeministrit Stoilkoviq me shërbimet sekrete serbe, ju e votuat.
Kur thamë se largimi i balancuesit ishte në Programin e Qeverisë, ju e votuat programin.
Kur u fshinë 173.000 shqiptarë të diasporës në mbledhje qeverie, heshtët dhe e miratuat.
Prandaj, kur sot flisni për ‘alarm të kuq’, alarmi i vërtetë që duhet të buçasë është ai i zgjimit të ndërgjegjes dhe intelektit të shqiptarëve.
Shqiptarët mund të jenë të shtypur, të manipuluar e të gënjyer, por nuk janë pa mendje dhe as të verbër për të vërtetën.
E dita do të vijë, sepse e vërteta nuk mbulohet përgjithmonë.
Mos harrojmë: edhe ligjet vetëm në gjuhën maqedonase nga Qeveria në Parlament i sollët ju të parët.
P.S. Jo, kjo nuk është aspak normale.”, ka shkruar Dauti.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, akuzoi hapur zëvendëskryeministrin Stoilkoviq për ndikim anti-shqiptar dhe lidhje me struktura të sigurisë serbe.
Postimi i plotë i Arben Taravarit:
“A është normale?!?!?!?!
Zv. Kryeministri aktual i shtetit, z. Stoilkoviq, është një njeri i cili ka lidhje të drejtëpërdrejta me shërbimet sekrete serbe e po i njëjti po përndjek shqiptarët haptazi dhe qartazi!
Ky është Alarm i Kuq!”, ka shkruar Tarvari./tetova1.mk











