Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pas debatit të rihapur për marrëdhënien mes ish-kryeministrit Ehud Barak dhe Jeffrey Epstein, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim se Epstein ka punuar për Izraelin.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu thekson se marrëdhënia e afërt dhe e pazakontë e Barak me Epstein “nuk sugjeron që Epstein ka punuar për Izraelin, përkundrazi, provon të kundërtën”.
Sipas kreut të Qeverisë, Ehud Barak, i cili humbi zgjedhjet më shumë se dy dekada më parë, ka mbetur i fiksuar pas asaj humbjeje dhe ka provuar në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite.
Netanyahu e akuzon Barak se ka bashkëpunuar me të majtën radikale anti-sioniste në përpjekje të pasuksesshme për të rrëzuar Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ai shton se fiksimi personal i Barak e ka çuar atë të angazhohet, si publikisht ashtu edhe në prapaskenë, në veprime që synonin dobësimin e qeverisë.
Sipas kryeministrit, këto veprime përfshijnë nxitjen e lëvizjeve masive protestuese, krijimin e klimës së trazirave dhe ushqimin e narrativave të rreme në media.
Deklarata e Netanyahu-t vjen në një klimë të tensionuar politike në Izrael, ku akuzat dhe debatet mbi figurat kyçe të së kaluarës dhe të tashmes vazhdojnë të jenë pjesë e fortë e diskursit publik.





