Trendy

Qytetet tona – “Las Vegasi i varfërisë”: kur dritat e kazinove u fikin fëmijëve tanë dritën e shpresës

Para 1 muaj

Shkrim nga Lirim Begzati

Në qytetet tona të Maqedonisë së Veriut, si Gostivari, Tetova e shumë të tjera, dikur plot jetë e shpresë, sot dritat më të forta nuk vijnë nga sheshet apo shkollat, por nga kazinotë dhe bastoret. Ato shfaqen pranë shkollave, në zemër të lagjeve të banimit, afër institucioneve arsimore e kulturore, pikërisht aty ku duhej të ndërtohej e ardhmja, sot ofrohet iluzioni i “fatit të shpejtë”.

Në shumë rrugë, fasada me tabela lojërash fati. Pamja ngjan me një “mini Las Vegas”, por pa begatinë e tij: nën këtë fasadë fshihen papunësia, rritja e çmimeve, emigrimi masiv i të rinjve dhe dobësimi i ekonomisë reale.

Në një kontekst ku familjet përballen çdo ditë me inflacion dhe mungesë perspektive, kazinotë shfaqen si një ndër bizneset “e gjalla”, duke shitur shpresë atje ku shteti nuk ofron zhvillim. Ato po shumëzohen si kërpudhat pas shiut, duke ushqyer varfërinë, borxhet dhe dëshpërimin.

Reklamat e lojërave të fatit janë bërë pjesë e përditshmërisë: në çdo kryqëzim, një ekran ose tabelë të fton të “provosh fatin”. Por pas kësaj ftese fshihet një makineri e ndërtuar për të prodhuar humbje për shumicën dhe fitime të sigurta për pakicën.

Në fund të çdo loje, fitues i vërtetë është vetëm një: pronari. Fitimet e pakta, sporadike, shërbejnë vetëm për të ushqyer iluzionin se “nesër mund të jetë radha ime”.

Natyrisht, lojërat e fatit ekzistojnë kudo në botë dhe nuk janë problem në vetvete. Problemi fillon kur, si tek ne, ato dalin nga çdo kufi normal: kur pothuajse çdo lagje ka bastore dhe çdo rrugë një kazino, diçka që diku tjetër mbetet aktivitet i kufizuar, këtu shndërrohet në mënyrë jetese.

Shprehja se në qytetet tona ka më shumë kazino se furra buke nuk është vetëm shaka ; ajo pasqyron një shenjë alarmuese për drejtimin ku po shkon shoqëria. Sa më shumë rritet numri i këtyre lokaleve, aq më shumë thellohet varfëria, rriten borxhet familjare, shtohet tensioni brenda shtëpive.

Në nivel shoqëror, humbjet financiare të qindra apo mijëra qytetarëve përkthehen në barrë shtesë për sistemin social dhe shëndetësor. Më shumë familje që kërkojnë ndihmë, më shumë familje që duhet të mbulojnë borxhet dhe pasojat emocionale të varësisë, më shumë njerëz me probleme psikologjike, më shumë fëmijë që rriten në shtëpi ku stresi financiar është i përditshëm.

Vitet kalojnë, partitë ndërrohen, por premtimi mbetet i njëjtë: “Do t’i mbyllim kazinotë.” Megjithatë, ato vetëm shtohen. Pyetja që rrallë shtrohet hapur është: a janë interesat financiare aq të mëdha, apo mungon thjesht vullneti politik për t’u përballur me këtë realitet?

Kontrasti bëhet edhe më i dukshëm kur krahasoj këtë realitet me Zvicrën. Në qytetin Neuchâtel, ku jetoj, hapja e një kazinoje u parapri nga analiza të gjata ekonomike dhe sociale. Para se të jepej leja, u diskutua në detaj: çfarë pasojash do të ketë për familjet, për shëndetin publik, për varësinë, për buxhetin e ndihmës sociale. U pyet: sa fiton shteti nga taksat dhe sa humb nga rënia në varfëri e qytetarëve?

Debati zgjati muaj e vite. U përfshinë ekspertë të psikologjisë, ekonomisë, punës sociale. Vetëm pas kësaj u vendos të lejohej një kazino e vetme për kantonin, e kontrolluar rreptësishtë, e larguar nga zonat e ndjeshme, me reklama të kufizuara dhe masa të qarta kundër varësisë. Pra, para fitimit u mendua për pasojat.

Në vendin tonë, një debat i tillë pothuajse nuk është bërë. Askush nuk pyet seriozisht: a po ndihmon ky shpërthim i kazinove zhvillimin, apo po shkatërron ngadalë shoqërinë? Në vend të analizës, kemi parë vetëm leje të reja, tabela të reja, drita të reja. Është zgjedhur fitimi i shpejtë mbi përgjegjësinë afatgjatë. Harruam se çdo fitim pa dinjitet është, në thelb, një humbje shoqërore.

Kur diçka e dëmshme bëhet normale, ajo bëhet edhe më e rrezikshme.

Kur fëmijët mësohen të kalojnë pranë dritave të basteve po aq natyrshëm sa pranë një shkolle, kur loja e fatit perceptohet si pjesë e zakonshme e jetës në qytetet tona, e nëse nuk ngrihet sot zëri, nesër fëmijët tanë do të mësojnë më shpejt të shtypin butonin “Jackpot” sesa të hapin një libër.

Prandaj, zgjedhja nuk është vetëm mes “për” ose “kundër” kazinove, por mes dy modeleve shoqërore: një që pranon dritat që verbojnë dhe e mat suksesin me xhiro financiare, dhe një tjetër që kërkon dritën që udhëzon, arsimin cilësor, punën dinjitoze dhe hapësirat kulturore për të rinjtë.

Një qytet që e ndërton të ardhmen mbi lojën e fatit, në thelb e ka dorëzuar tashmë lojën e shpresës. Qytetet tona meritojnë më shumë se një “Las Vegas varfërie”: meritojnë të jenë vende ku të rinjtë ëndërrojnë punë, dije dhe dinjitet, e jo vetëm një kombinim numrash në ekran.

Trending