Sot, më 18 shkurt (e mërkurë), në vigjilje të fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit dhe në kuadër të angazhimeve të tij institucionale, Reisul-Ulema i Bashkësia Fetare Islame e RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, realizoi një vizitë pune në Muftininë e Tetovës.
Reisul-Ulema u prit nga Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ku u zhvillua një takim i frytshëm pune. Në këtë takim u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me organizimin fetar, aktivitetet edukativo-arsimore dhe projekte të rëndësishme që synojnë forcimin e jetës fetare dhe institucionale në këtë rajon.
Në takim morën pjesë edhe drejtorët e Rijasetit, si dhe Myftiu i Shtipit, Mr. Nasir ef. Rexhepi, që i dha kësaj vizite një karakter të zgjeruar institucional dhe gjithëpërfshirës.
Me këtë rast, Reisul-Ulema, së bashku me Myftiun e Tetovës, kumtuan publikisht se Kompleksi Arabati Baba Teqe, me gjithçka që përfshin, është definitivisht pronë – vakuf i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së. Me këtë akt zgjidhet konteksti pronësor-juridik në favor të BFI-së, një çështje me rëndësi të veçantë për institucionin dhe për ruajtjen e pasurive të saj. Ky njoftim u mirëprit nga të pranishmit si një hap i rëndësishëm dhe historik për BFI-në, Muftininë e Tetovës, nëpunësit fetarë dhe besimtarët.
Në kuadër të vizitës, Reisul-Ulema dhe Myftiu Dr. Selver Xhemaili vizituan kompleksin historik Arabati Baba Teqe, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore në vend, me qëllim të analizës së gjendjes aktuale dhe ndërmarrjes së hapave konkretë për fillimin e procesit të renovimit. U theksua rëndësia e ruajtjes dhe valorizimit të kësaj pasurie me vlera të veçanta historike, fetare dhe kulturore, si pjesë e identitetit tonë të përbashkët.
Myftiu Dr. Selver Xhemaili shprehu gëzimin dhe kënaqësinë e tij që Arabati më në fund është vakuf i BFI-së, duke premtuar se së bashku me strukturat e Muftinisë do ta menaxhojnë këtë kompleks me përgjegjësinë më të madhe dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
Vizita u karakterizua nga një atmosferë vëllazërore dhe përkushtim i ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit institucional, në shërbim të fesë, dijes dhe interesit të përgjithshëm të besimtarëve.
Në fjalën e tij, Reisul-Ulema uroi besimtarët e Maqedonisë së Veriut për ripronësimin e kësaj vlere të madhe fetare, kombëtare dhe kulturore, duke theksuar se ky kompleks do të jetë qendër frekuentimi për besimtarët anekënd botës, e në veçanti për besimtarët e Tetovës.
Na qoftë për hajr kjo e arritur historike.
Allahu ju bekoftë!










