SPB Manastir në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë BSP-së ka paraqitur kallëzim penal në PTHP Manastir ndaj V.P. (40) nga fsh. Stenjë, rrethina e Resnjës, G.M. (54) me qëndrim në Shkup, një personi të panjohur (i denoncuar i tretë) dhe V.M. (51) nga Ohri, për shkak të dyshimit për kryerje të veprave penale.
Ndaj të denoncuarit të parë, të dytë dhe të tretë është ngritur kallëzim penal për shkak të dyshimit për veprën penale “Mashtrim”, të paraparë dhe të dënueshme sipas nenit 247 të Kodit Penal, ndërsa e denoncuara e katërt dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë” sipas nenit 24 në lidhje me nenin 247 të Kodit Penal.
Më 05.02.2026, në rrugën “Mavrovë” në Manastir, i denoncuari i parë, i dytë dhe i tretë, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme kanë mashtruar një 72-vjeçare nga Manastiri, duke u prezantuar se nusja e saj ishte lënduar rëndë dhe se nevojiteshin para dhe ar për operacion. E dëmtuara ia ka dorëzuar stolitë e arit të denoncuarit të parë, i cili më pas ia ka dorëzuar sendet të denoncuarit të dytë. Me këtë vepër është shkaktuar dëm prej rreth 40.000 denarësh.
Më 06.02.2026, pranë Sahat Kullës në Manastir, në mënyrë të njëjtë kanë mashtruar një grua 76-vjeçare dhe bashkëshortin e saj, nga të cilët kanë marrë rreth 430.000 denarë.
Në periudhën nga nëntori 2025 deri më 21.02.2026, i denoncuari i dytë dhe e denoncuara e katërt i kanë dërguar dhe dorëzuar mjetet e përfituara financiare nga mashtrimet në Republikën e Bullgarisë, përkatësisht në Sofje, te i denoncuari i tretë, me ç’rast një pjesë të mjeteve ikanë mbajtur për vete.
Me mashtrimet e kryera në disa qytete të vendit, të denoncuarit kanë përfituar dobi të kundërligjshme pasurore në vlerë prej rreth 3.700.000 denarësh.
Nga gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Manastir, ndaj G.M. është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh, ndërkaq i denoncuari i parë është duke e vuajtur masën e paraburgimit.










