Trendy

Mediat e Azerbejxhanit: Irani po shqyrton sulmin ndaj një kampi në Shqipëri

Para 4 orë

Rajoni i Ballkanit dhe veçanërisht Shqipëria janë përfshirë në një valë të re shqetësimi pas raportimeve që vijnë nga media azerbajxhanase “Caliber”, e cila bën me dije se Irani po shqyrton seriozisht mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj kampit Ashraf-3 në Manzë.

Ky lajm ka marrë dhenë pasi Shërbimi për Shtyp i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka lëshuar deklarata kërcënuese përmes kanaleve zyrtare në Telegram, ku theksohet se Teherani nuk e kufizon më veprimtarinë e tij kundër kundërshtarëve brenda një hapësire të caktuar gjeografike.

Sipas autoriteteve iraniane, anëtarët e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK), të cilët ata i etiketojnë si “Monafeqin”, janë të përfshirë në aktivitete të rrezikshme armiqësore që kërkojnë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë, qoftë edhe mijëra kilometra larg kufijve të tyre.

Referenca që mediat bëjnë ndaj sulmeve të fundit iraniane mbi objektiva në Qipro tregon për një rritje të kapaciteteve operacionale të Teheranit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sigurinë europiane.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë ndërkombëtare theksojnë se një skenar i tillë në territorin shqiptar mbetet jashtëzakonisht i vështirë për t’u realizuar në aspektin teknik dhe ushtarak. Çdo përpjekje për të dërguar raketa apo dronë drejt Shqipërisë do të kërkonte fluturimin mbi hapësirën ajrore të Turqisë ose përmes Detit Mesdhe, zona të cilat janë nën monitorimin e rreptë të Flotës së Gjashtë të SHBA-ve dhe Sistemeve të Integruara të Mbrojtjes Ajrore të NATO-s.

Një lëvizje e tillë nga Irani do të interpretohej menjëherë si një akt lufte jo vetëm ndaj Tiranës, por ndaj gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke aktivizuar Nenin 5 të mbrojtjes kolektive.

Prej vitit 2013, rreth 3,000 anëtarë të MEK-ut janë strehuar në kompleksin e fortifikuar në Manzë, pas një marrëveshjeje humanitare të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara për t’i larguar ata nga rreziku i asgjësimit në Irak. Kjo organizatë, e themeluar në vitin 1965 me prirje islamike-socialiste, ka një histori të gjatë dhe kontroverse të përplasjeve me regjimin e ajatollahëve, duke nisur që nga mbështetja fillestare për revolucionin e vitit 1979 e deri te kalimi në opozitë të armatosur nga mërgimi.

Edhe pse dikur ishin në listën e organizatave terroriste, në vitin 2012 Departamenti i Shtetit i SHBA-ve i hoqi nga kjo listë pasi grupi hoqi dorë zyrtarisht nga dhuna. Sot, prania e tyre në Shqipëri mbetet një “gjemb në këmbë” për Teheranin, veçanërisht pas zbulimeve që ata bënë për programin bërthamor iranian, duke e kthyer vendin tonë në një pikë nxehtësi në hartën e inteligjencës globale.

Trending