Trendy

Qytetarët ia mësynë pompave të benzinës, autoritetet apelojnë për qetësi

Para 3 orë

Paniku për rritjen e mundshme të çmimit të naftës për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, krijoi mbrëmë kolona nëpër pompa të derivateve, përcjell Alsat.

Situata nëpër pikat e karburanteve sot, ishte më e qetë pasi pas mesnate mbrëmë, çmimi i naftës dhe vajit ekstra të lehtë mbeti i pandryshuar ndërsa çmimi u rrit vetëm për benzinën dhe atë vetëm një denarë për litër. Edhe pse nuk ka vendim zyrtar për shtrenjtim të mëtejshëm, kërkesa është rritur ndjeshëm nëpër pompat e karburanteve.

“Po kishte panikë, shkonin shumë qytetarë neper pompat e derivateve. Unë nuk arrita të marr. Mendoj se çmimi i naftës do të rritët”, u shpreh një qytetar.

“Sa i mbushe ti? E mbusha 3000 denarë. Ti je edhe bujk dhe ke nevojë. Po e mbusha 3000 denarë e thash perse të shkoj çdo ditë ka 300/400 denarë. Po paniku të zu edhe ty? Po, po, disa nga Haraçina me bure mbushen mbrëmë, persona që i njoh. Por kjo situatë do vazhdoje të sjelle kriza, ky është vetëm fillim”, tha një tjetër qytetar.

“A keni marrë rezerva mbrëmë? Jo, unë marr në mënyrë standarde, marr 20 litra dhe aq”, theksoi një qytetar.

Nga Ministria e Energjetikës thonë se rezervat shtetërore të naftës në vend janë të qëndrueshme. Sipas këtij dikasteri me vëmendje po ndiqet situata aktuale energjetike, sidomos në kontekst të tregjeve të naftës dhe rreziqet eventuale gjeopolitike. Ministria e Energjetikës thekson se Agjencia, përgjegjëse për rezervat e naftës ndjek dhe mirëmban rezervat shtetërore duke siguruar furnizim të pandërprerë, stabilitet të tregut dhe gatishmëri për reagim në kohë, në rast të ndonjë cenimi të furnizimit. /Alsat.mk

Trending