Trendy

Aliu: Recetat mjekësore drejt digjitalizimit

Para 3 javë

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një konferencë për media prezantoi risitë e parashikuara në Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencat në fushën e shëndetësisë, me të cilat synohet digjitalizimi i plotë i sistemit shëndetësor në vend, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas Aliut, zgjidhja e re ligjore, e cila pritet të publikohet në platformën ENER, do të tejkalojë kufizimet aktuale në sistemin e evidencave shëndetësore dhe do të mundësojë që të gjitha të dhënat të mbahen në mënyrë elektronike përmes sistemit kombëtar Termini im.

“Dokumentacioni mjekësor, udhëzimet për specialistë, recetat, raportet dhe regjistrat do të mbahen në mënyrë digjitale, ndërsa dokumentacioni në letër do të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme, si zgjidhje e përkohshme në rast të ndërprerjes së sistemit”, theksoi Aliu.

Një nga risitë kryesore të ligjit është krijimi i Dosjes Elektronike Shëndetësore për çdo pacient, e cila do të shërbejë si burim qendror i të gjitha të dhënave shëndetësore, duke përfshirë kontrollet mjekësore, rezultatet, udhëzimet, recetat dhe shërbimet e telemjekësisë.

Ministri bëri të ditur se ligji parashikon edhe interoperabilitet teknik dhe semantik të sistemeve informatike shëndetësore. Kjo do të thotë se të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private do të duhet të përdorin sisteme të harmonizuara me sistemin kombëtar, përmes certifikimit të tyre dhe regjistrimit të detyrueshëm të çdo qasjeje në të dhënat shëndetësore, me qëllim rritjen e sigurisë dhe transparencës.

Gjithashtu, për herë të parë rregullohet integrimi i telemjekësisë dhe i shëndetit mobil (mHealth) në sistemin shëndetësor, ku shërbimet e telemjekësisë do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore si kontrollet fizike te mjeku.

Propozim-ligji parashikon edhe përdorimin sekondar të të dhënave shëndetësore të anonimizuara për qëllime të interesit publik, si kërkime shkencore, statistika, arsim dhe zhvillim të politikave shëndetësore. Megjithatë, ndalohet rreptësisht çdo përdorim që mund të çojë në diskriminim, profilizim apo dëm ekonomik për individin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, me këtë ligj vendosen themelet për një sistem modern dhe të sigurt për menaxhimin e të dhënave shëndetësore, i cili pritet të përmirësojë cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe të rrisë qasjen e qytetarëve në shërbime.

Trending