Televizioni shtetëror iranian i quan futbollistet “tradhtare”
Televizioni shtetëror i Iranit i ka quajtur sot futbollistet e përfaqësueses kombëtare të femrave “tradhtare të luftës”, pasi ato nuk e kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së Kupës së Azisë kundër Koresë së Jugut, e zhvilluar më herët këtë javë në Australi, përcjell tetova1
Irani po merr pjesë në këtë turne kontinental në një kohë kur situata në vend është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi gjatë fundjavës Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme ajrore, në të cilat u vra lideri suprem i Republikës Islamike, Ali Khamenei.
Futbollistet iraniane qëndruan në heshtje gjatë intonimit të himnit kombëtar para ndeshjes me Korenë e Jugut të hënën, ndonëse e kënduan himnin para humbjes 4–0 nga nikoqiri Australia tri ditë më vonë.
Moderatori i televizionit shtetëror iranian, Mohammad Reza Shahbazi, në një video të publikuar në rrjetet sociale tha se futbollistet treguan mungesë patriotizmi dhe se veprimi i tyre përbën “turpin më të madh”.
“Le të them vetëm një gjë: tradhtarët në kohë lufte duhet të trajtohen më ashpër”, deklaroi ai. “Çdokush që ndërmerr veprime kundër vendit në një kohë kur ai është në gjendje lufte duhet të përballet me masa më të rrepta. Edhe në këtë rast, kur përfaqësuesja jonë e futbollit për femra nuk e këndon himnin kombëtar… këta njerëz duhet të trajtohen më ashpër”, u shpreh Shahbazi.
Përfaqësuesja e Iranit do të përballet me Filipinet në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, e cila do të zhvillohet të dielën./tetova1.mk/










