Avokati Toni Menkinoski njoftoi se autoritetet në Sofje i kanë shqiptuar ndalim hyrjeje në Bullgari për një periudhë prej 10 vitesh.
Ai paralajmëroi për sot një konferencë për media, në të cilën do t’i bëjë të ditura të gjitha detajet lidhur me këtë vendim, të cilin e cilësoi si “skandaloz” dhe si presion ndaj punës së tij profesionale.
“Bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj veprimtarisë sime si avokat dhe një përpjekje për të më heshtur mua, si përfaqësues juridik i maqedonasve në Bullgari para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, thekson Menkinoski në ftesën e dërguar mediave.
Ai theksoi se në konferencën për media do të shpjegojë arsyet e mundshme për marrjen e këtij vendimi, si dhe pasojat që, sipas tij, rrjedhin nga shkelja e të drejtës për lëvizje të lirë dhe ushtrimin e profesionit të avokatit.
Konferenca për media është caktuar për sot në ora 11:30, në zyrën e tij të avokatisë.










