Trendy

“Lukoil Maqedonia” vendos kufizime për dizelin

Para 4 orë

Kompania Lukoil Macedonia ka marrë vendim për kufizim të përkohshëm të shitjes së naftës dizel në pikat e saj të karburantit, masë që ka hyrë në fuqi më 7 mars 2026, përcjell tetova1

Sipas njoftimit për konsumatorët, masat e reja kanë të bëjnë me furnizimin me karburant për kategori të caktuara të automjeteve, me qëllim menaxhimin më të mirë të furnizimit në kushtet aktuale.

Me këtë vendim është vendosur që automjetet e rënda, përkatësisht kamionët, traktorët dhe autobusët, të mund të furnizohen maksimumi me 50 litra naftë për automjet. Kufizimi vlen për Euro Dizel BS dhe EKTO Dizel.

Në të njëjtën kohë, nga kompania bëjnë të ditur se ndalohet rreptësisht mbushja e karburantit në bidona dhe kanistra që nuk i plotësojnë standardet e përcaktuara të sigurisë.

 

Nga ky kufizim përjashtohen automjetet që furnizohen me karburant në bazë të kontratave të lidhura më parë me kompaninë, për të cilat do të vazhdojnë të vlejnë kushtet e dakorduara.

Nga Lukoil Macedonia sqarojnë se bëhet fjalë për masë të përkohshme, e cila është marrë në kuadër të politikës së tyre për përgjegjësi shoqërore, me qëllim sigurimin e furnizimit të barabartë dhe mbrojtjen e interesave të të gjithë konsumatorëve./tetova1.mk

Trending