Trendy

ٍٍٍSi të largohemi nga gjërat që na shpërqendrojnë gjatë agjërimit të Ramazanit?

Para 3 minuta

Drejtuesi i emisionit: Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.

Në çdo Ramazan që kalon, me mirësinë e Allahut ka njerëz që e përshkojnë këtë muaj duke agjëruar dhe duke u falur, duke u furnizuar nga bollëku i të mirave dhe duke kërkuar nga Allahu mëshirat e Tij. Por ekziston edhe një kategori tjetër që e kalon Ramazanin në shkujdesje dhe shpërqendrim, duke e humbur kohën përpara ekraneve, duke i rënduar peshoret e tyre me mëkate dhe duke e lënë veten pre të shejtanëve nga njerëzit dhe xhinët.

Biseda jonë sot në programin “Sheriati dhe Jeta” është rreth gjërave shpërqendruese në muajin e Ramazanit dhe se si muslimani mund ta mbrojë veten nga shejtanët e njerëzve dhe të xhinëve, si dhe si të shpëtojë prej vendeve të rrëshqitjes dhe gabimit.

I ftuari ynë është hoxha i nderuar dhe studiuesi Muhamed Xhasim, imam i xhamisë së Imam Muhamed ibn Abdul-Uehhab në Doha. Mirë se erdhët

Shejh Muhamed Xhasimi: Mirë se ju gjeta. Allahu ju shpërbleftë me të mira për mikpritjen dhe për këtë pritje të ngrohtë. Allahu ju begatoftë.

Drejtuesi i emsionit: I nderuari shejh. Allahu i Madhëruar e ka përshkruar jetën e kësaj bote në më shumë se një vend në ajetet e Kuranit Fisnik si lojë dhe argëtim, dhe e ka përshkruar gjithashtu si kënaqësi mashtruese. Kjo do të thotë se gjërat shpërqendruese dhe ato që e largojnë njeriun nga bindja ndaj Allahut të Madhëruar janë pjesë e vetë përbërjes së jetës së kësaj bote gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në Ramazan. Çfarë duhet të bëjmë që mos të shpëqendrohemi nga këto gjëra?

Shejh Muhamed Xhasimi: Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Falënderimi i takon Allahut dhe paqja e bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (a.s). O Allah, dërgo salavate, paqe dhe bekime mbi zotërinë dhe të dashurin tonë Muhamed, si dhe mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij.

E falënderoj Allahun që na e mundësoi të arrijmë këtë muaj të madhërueshëm. I lutem Allahut të Lartësuar që të na shikojë në këtë muaj me një shikim kënaqësie, pas të cilit të mos zemërohet më kurrë me ne.

Para se të flasim për shpërqendrimet – që është një temë shumë e rëndësishme dhe tejet e rrezikshme – duhet të trajtojmë dhe të fokusohemi tek një çështje themelore që është: sundimi i vizionit kuranor, nga i cili duhet të nisemi për ta parë botën dhe për ta parë veten tonë.

Allahu i Lartësuar, kur e zbriti këtë Kuran, nuk e zbriti vetëm për t’u lexuar; përkundrazi, ai është një metodologji veprimi. Kurani në vetvete nuk jep vetëm përshkrimin e problemeve, por ai është edhe forca kundërvepruese ndaj të gjitha problemeve të njerëzimit.

Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Ju ka ardhur një këshillë nga Zoti juaj, shërim për atë që gjendet në kraharorë dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.”

Sot ne e kemi kufizuar këtë “shërim” vetëm te çështja e sëmundjeve fizike. Po, edhe kjo është e mirë; fjala e Allahut ka bereqet dhe Allahu ka vendosur në të shërim, pa dyshim. Por shërimi i vërtetë – i gjithë shërimi – është kur errësira e paditurisë largohet nga zemra. Atëherë njeriu e dallon Krijuesin dhe Zotin e tij, e di se Ai është Një dhe pa ortak; dhe kështu jeton në rrugën e drejtë.

Kurse sa u përket shpërqendrimeve, ato janë vetëm një degë e këtyre rrugëve dhe mjeteve djallëzore të kurdisura nga shejtani.

Imagjino, vëlla, sikur një njeri të ketë një listë blerjesh dhe të hyjë në treg. Tregtarët fillojnë ta thërrasin nga të gjitha anët; ai vazhdon t’i kthejë kokën herë nga njëri e herë nga tjetri, derisa e harron listën. Pastaj del nga tregu me shumë qese në duar, por nuk ka blerë asgjë nga ajo që ishte në listë dhe që ia kishte porositur gruaja e tij! Allahu na ndihmoftë nga problemet që do t’i vijnë më pas!

Kjo është gjendja jonë në këtë botë. Secili prej nesh ka një listë detyrash, që lidhen me realizimin e vizionit të mëkëmbësisë së njeriut në tokë. Çfarë ke bërë për këtë?

Ti ke detyra, obligime, ke përgjegjësi e shumë çështje. Dhe sapo të dalim nga tregu i kësaj bote, këto fletë veprash do të paraqiten para Allahut të Lartësuar.

Prandaj i mençur është ai që e bën këtë botë vend mbjelljeje dhe përgatitjeje për botën tjetër.

Problemet tona sot nuk janë probleme të dijes. Shumë myslimanë e dinë se Ramazani është muaji i mirësisë, muaji i agjërimit dhe i Kuranit. Pra, në aspektin e njohjes nuk kemi ndonjë problem të madh; problemi i dijes është shumë i vogël. Problemi i vërtetë është hendeku në sjellje.

Sepse Allahu i Lartësuar thotë – dhe ky është një diagnostikim kuranor – dhe po ta shohësh me kujdes, Kurani jo vetëm që përshkruan problemet, por edhe jep zgjidhjen dhe na udhëzon drejt mënyrës së drejtë të veprimit. Allahu thotë: “Sikur ata të vepronin sipas asaj me të cilën këshillohen…”

Pra, ku qëndron kura? Në veprim. Problemi nuk është mungesa e dijes. Ata kishin këshilla dhe kishin shumë njohuri, por problemi i tyre ishte në veprim. Edhe ne sot jemi në të njëjtën gjendje. Ne e dimë se Ramazani është kështu e ashtu, e dimë shumë gjëra për të; por ata që i përkthejnë këto njohuri në vepra janë të paktë.

Cili është rezultati nëse vepron sipas tyre? “Allahu thotë: “do të ishte më mirë për ta”, domethënë në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe do t’i bënte më të qëndrueshëm.

Kjo është ajo që kërkohet nga njeriu: që të jetë i qëndrueshëm në “tregun” e kësaj bote, duke mos u mashtruar prej saj.

Drejtuesi i emisionit: Çfarë ju e përmendët është mëse e vërtetë. A mund të na e konkretizosh me shembuj?

Shejh Muhamed ibn Xhasimi: Shembujt kuranorë që Allahu i Lartësuar jep për jetën e kësaj bote janë shembuj shumë të çuditshëm dhe mjaft domethënës. Ai thotë: “Shembulli i jetës së kësaj bote është si uji që Ne e zbresim nga qielli; me të përzihet bimësia e tokës, pastaj ajo bëhet kashtë e tharë që e shpërndajnë erërat. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”

Ky përshkrim kaq i gjallë i gjendjes së kësaj bote synon që ta bëjë njeriun të mos lidhet fort pas saj. Por në realitet çfarë ndodh? Ne bëhemi edhe më të lidhur me të.

Mirë, nëse dëshiron më shumë shembuj, eja të shohim një tjetër. Allahu na ka dhënë edhe një shembull tjetër për të na bërë të mos lidhemi me këtë botë, në suren Hadid. Kjo sure ka bashkuar midis forcës së besimit dhe drejtësisë së metodës së jetës, dhe në mes të tyre përmend gjendjen e kësaj bote.

Allahu thotë: “Dijeni se jeta e kësaj bote…”. Vetë fillimi i ajetit me fjalën “dijeni” tregon se kjo çështje kërkon vetëdije dhe kuptim të thellë të realitetit të saj. Në disa raste të tjera Kurani urdhëron thjesht të kujtojmë (të përkujtojmë), që është një nivel më i lehtë, sikur të thuash: mjafton një ide e thjeshtë. Por kur Allahu urdhëron dijen, kjo do të thotë se kjo është e vërteta e pandryshueshme e kësaj bote: sado të përpiqesh ta shohësh ndryshe, realiteti i saj nuk del jashtë këtij përshkrimi për atë që e kupton dhe e mediton.

Pastaj Allahu përmend përshkrime shumë domethënëse për këtë botë: “lojë, zbavitje, stoli, mburrje mes jush dhe garë në pasuri e fëmijë.” Këto janë shtresa mbi njëra-tjetrën dhe përfundimi i tyre është që kjo botë ta pushtojë plotësisht zemrën e njeriut.

Fillimi është loja: angazhimi i trupit me gjëra të kësaj bote. Natyrisht, përjashtohet ajo që lidhet me shëndetin e njeriut dhe nevojat e tij, sepse Islami nuk e ndalon çdo gjë. Islami ka vendosur ekuilibër. Por kur njeriu e bën lojën shqetësimin kryesor të jetës së tij dhe kjo e largon nga qëllimi i vërtetë, atëherë hyn në zonën e ndaluar.

Pastaj vjen zbavitja, që është shpërqendrimi i zemrës. Mund të ndodhë që dikush të merret me sport ose aktivitete të tjera, ndërsa zemra e tij mbetet e lidhur me Allahun. Problemi fillon kur shpërqendrimi pushton zemrën, derisa edhe zemra të bëhet e shkujdesur nga përmendja e Allahut.

Pastaj vjen stolia: syri fillon të admirojë bukurinë e kësaj bote dhe, kur e pëlqen atë, dëshiron të shtojë gjithnjë e më shumë prej saj. Pas saj vjen mburrja mes njerëzve, dhe këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: secila çon te tjetra. Prandaj thashë se etapa e fundit është rezultati përfundimtar: kur kjo botë e pushton zemrën aq shumë, sa njeriu nuk ka tjetër shqetësim veçse të shtojë pasuritë dhe të mirat e kësaj bote.

Pastaj ajeti vazhdon me një përshkrim madhështor për të treguar se gjithçka që grumbulloni këtu do të thyhet para realitetit të botës tjetër: “Ndërsa në botën tjetër ka dënim të rëndë dhe falje nga Allahu e kënaqësi. Jeta e kësaj bote nuk është veçse një kënaqësi mashtruese.”

Shiko si Allahu i ndërthur këshillat në këto ajete për atë që ka zemër të gjallë ose dëgjon me vëmendje.

Njeriu mund të jetojë shumë vite në këtë botë, por dijeni se një nga pendimet më të mëdha të banorëve të Zjarrit në Ditën e Gjykimit, që përmendet në disa vende në Kuran, është kjo: pasi Allahu përshkruan skenat madhështore të botës tjetër, Ai përmend se ata u mashtruan nga jeta e kësaj bote.

Unë kam medituar shumë mbi këtë shprehje: “i mashtroi jeta e kësaj bote.” Kur njeriu mendon se kjo botë meriton të punohet për të në vetvete dhe për hir të saj, sikur ia vlen që njeriu të shpenzojë gjithë jetën, mundin dhe kohën për të, duke harruar se ekziston një botë tjetër, atëherë ai është i mashtruar.

Fitimtari i vërtetë është ai që e bën këtë botë një vend përgatitjeje për botën e përhershme. Ai që nuk e kupton këtë realitet nuk e ka kuptuar qëllimin e krijimit, sepse Allahu nuk e ka bërë këtë botë vend qëndrimi të përhershëm, as vend kënaqësie të përjetshme, por vend prove dhe sprove.

Është e vërtetë se në të mund të ketë kënaqësi dhe begati, por qëndrueshmëria nuk është këtu. Prandaj i mençuri nuk punon për atë që është kalimtare në kurriz të së përhershmes; përkundrazi, ai punon për të përhershmen edhe nëse kjo bëhet në kurriz të së përkohshmes.

Megjithatë, që të mos keqkuptohet: Islami nuk e ndalon shijimin e të mirave të kësaj bote. Allahu thotë: “Kush i ka ndaluar stolitë e Allahut që Ai i ka nxjerrë për robërit e Tij dhe të mirat nga furnizimi?” Por duhet ekuilibër. Ekziston një formulë shumë e shkurtër që çdo mysliman duhet ta mbajë mend, i vogël apo i madh qoftë ai: “Ju ka preokupuar gara për shtim (pasurie) derisa vizituat varret.”

Kjo është një formulë që mjafton për të rregulluar ritmin e jetës sonë. Sa herë që e shoh veten të shpërqendruar, ose kur filloj të anoj nga kjo botë duke harruar llogarinë e botës tjetër, duhet të zgjohem dhe të them: Unë si mysliman kam një mision më të madh.

Allahu më ka ngarkuar me projektin e madh të mëkëmbësisë në tokë sipas Kuranit: të jem mëshirë për njerëzit, të jetoj për hir të Allahut sipas metodës së profetësisë, jo si çdo njeri tjetër që udhëhiqet nga materializmi dhe dëshirat. Ritmi i jetës së besimtarit rregullohet nga peshorja e shpalljes. Kështu kuptohet edhe kuptimi i ajetit: “Ju ka preokupuar gara për shtim derisa vizituat varret.” Domethënë, njerëzit e shkujdesur dhe të pamend zhyten në garën për të shtuar pasurinë e kësaj bote derisa t’u vijë vdekja dhe ta gjejnë veten mes varreve. Atëherë pendimi nuk ka më dobi.

Banorët e varreve do të dëshironin të ktheheshin në këtë botë vetëm për të bërë një sadaka të vetme, siç përmendet në fund të sures Munafiku, kur njeriu thotë: “O Zoti im, sikur të më jepje edhe pak afat, që të jap sadaka dhe të bëhem prej të mirëve.” Kjo sepse ata e panë madhështinë e shpërblimeve që Allahu u jep robërve të Tij.

Drejtuesi i emisionit: Në lidhje me sa thatë, lind një pyetje: Cilat janë metodat e shejtanit për t’i mashtruar dhe për t’i shpërqendruar besimtarët nga rruga që Allahu ka zgjedhur për ta?

Shehj Muhamed Xhasimi: Kjo është një pyetje shumë serioze, dhe Kurani e ka shpjeguar në mënyrë të hollësishme dhe të mrekullueshme. Sepse, siç kemi thënë, shumë nga kuptimet e Kuranit kthehen te surja Fatiha ku themi: “Na udhëzo në rrugën e drejtë, rrugën e atyre që i ke begatuar, jo të atyre që kanë merituar zemërimin dhe as të të humburve.”

I gjithë Kurani në fakt shtjellon dhe shpjegon këto kuptime të përmbledhura në këtë sure.

Drejtuesi i emisionit: Si do të na e tregojë Kurani këtë rrugë?

Shehj Muhamed Xhasimi: Dëgjo se çfarë thotë Kurani për çështjen e shejtanit në suren A’raf. Kjo është një sure mekase e mrekullueshme, e cila erdhi për të larguar çdo ngurrim në paralajmërimin e njerëzimit me këtë Kuran. Në fillimin e saj, Allahu i Lartësuar shpjegon kurthet e shejtanit.

Në këtë sure madhështore, ku Allahu ka sqaruar shumë nga rrugët e të humburve dhe të atyre që kanë merituar zemërimin e Tij, Ai na tregon për metodën e Iblisit në mashtrim. Allahu na e zbulon këtë të vërtetë duke na përcjellë fjalët e Iblisit, ku ai shpalos planin e tij fillestar që vendosi kur ishte para Allahut, para se të dëbohej i përbuzur. Ai tha: “Do t’u zë pritë në rrugën Tënde të drejtë. Pastaj do t’u vij nga përpara, nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, dhe shumicën e tyre nuk do t’i gjesh mirënjohës.”

Le të ndalemi fillimisht te fjala: “Do t’u zë pritë në rrugën Tënde të drejtë.” Ai nuk tha: “në rrugën e drejtë”, por tha: “në rrugën Tënde të drejtë”, që do të thotë se Iblisi do të qëndrojë pikërisht aty ku është rruga e drejtë. Ai do të vendoset në të dhe rreth saj për të vepruar me të gjitha mënyrat e tij, që t’i nxjerrë njerëzit nga kjo rrugë dhe t’ua ngatërrojë gjatë ecjes në të.

Pastaj tha: “Pastaj do t’u vij nga përpara tyre, nga prapa tyre, nga e djathta e tyre dhe nga e majta e tyre.” Dijetarët kanë vënë re një hollësi interesante: në këtë ajet nuk përmendet drejtimi nga lart, sepse mëshira e Allahut që vjen nga lart nuk mund të pengohet nga asgjë; dhe nuk përmendet as drejtimi nga poshtë, sepse momenti kur njeriu është më afër Zotit të tij është kur është në sexhde, dhe aty ai i drejtohet Allahut me lutje dhe përulësi.

Prandaj thelbi që duhet të kuptojmë nga fjalët e Iblisit është se ai nuk do të lërë asnjë mënyrë, as të vogël e as të madhe, asnjë mashtrim, asnjë hile dhe asnjë rrugë, pa e përdorur për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut të Lartësuar.

Po ashtu, Kurani kur zbulon disa nga mënyrat e mashtrimit të Iblisit në më shumë se një vend, Allahu i Lartësuar na ndalon të ndjekim hapat e shejtanit. Shejtani nuk është budalla; ai ka një strategji të keqe dhe një qëllim strategjik, që është: ta nxjerrë njeriun nga rruga që e çon në Xhenet, ashtu siç bëri me babain tonë të parë. Ai gjithashtu ka përvojë të grumbulluar ndër vite, duke shtuar vazhdimisht mashtrimet dhe dinakëritë e tij.

Kuptimi i shprehjes “hapat e shejtanit” është se ai nuk të vjen drejtpërdrejt duke të thënë: “Bëje këtë mëkat.” Kjo do të ishte shumë e qartë dhe njeriu do ta refuzonte. Përkundrazi, ai të çon gradualisht për tek gabimi e mëkati.

Për shembull: në vend që një njeri të falë namazin e natës me një përkushtim të madh – le të themi njëzet rekate – shejtani i thotë: “Vëlla, feja është lehtësi, mjaftojnë tetë rekate.” Vëre se ai nuk e nxori menjëherë nga adhurimi. Ose i thotë: “Pse po lexon çdo ditë pesë pjesë nga Kurani? Trupi yt ka të drejtë mbi ty; madje është transmetuar se nuk duhet ta përfundosh Kuranin më shpejt se një afat i caktuar.”

Kështu ai vjen me arsyetime të ndryshme dhe vazhdon hap pas hapi, derisa më në fund e largon njeriun nga bindja ndaj Allahut. Njeriu që fillimisht ishte me energji të madhe në adhurim, ose ishte në një gjendje të mirë bindjeje, mund të zgjohet një ditë dhe ta gjejë veten se ka shkelur një nga kufijtë e Allahut. Atëherë habitet dhe thotë: “Ku isha unë më parë?” Në të vërtetë, gjithçka filloi me atë mendim të vogël që shejtani e futi në zemrën e tij, duke e çuar përmes hapave të tij.

Një tjetër mënyrë e shejtanit është zbukurimi i gjërave. Ndonjëherë ai e di se njeriu ka një natyrë të shëndoshë dhe mund ta refuzojë një emërtim të caktuar, prandaj ai ua ndryshon emrat gjërave. Për shembull, mund t’i quajë pijet dehëse “pije shpirtërore”, duke e veshur të pavërtetën me petkun e së vërtetës.

Gjithashtu, një nga mashtrimet e tij është prishja e rendit të përparësive. Nganjëherë ai i sugjeron njeriut të bëjë një vepër më pak të vlefshme dhe ta lërë atë që është më e vlefshme; ose të merret me një të mirë të zakonshme dhe të lërë atë që është më e mirë dhe më e dobishme.

Kjo është një nga rrëshqitjet e njerëzve të mirë. Disa prej tyre duan të përpiqen shumë në adhurime ose kanë një program të caktuar dijesh dhe veprash të mira. Atëherë shejtani vjen – siç thamë – dhe ua shpërndan përparësitë. Në vend që të merren me atë që është më e plotë, më e mirë dhe më e dobishme, fillojnë të merren me çështje të vogla. Edhe pse ato janë të mira, nuk krahasohen me veprat e mëdha dhe madhështore.

Kjo ndodh shpesh te njerëzit e mirë: ata zhyten në detaje dhe çështje dytësore që nuk ndryshojnë shumë gjë, edhe pse kanë njëfarë të mire në to. Por sikur ta shpenzonin atë energji në meditimin e Librit të Allahut, në thirrjen drejt Allahut, ose në sqarimin e rrugës së drejtë, do të ishte shumë më mirë për ta dhe me shpërblim shumë më të madh.

Prandaj njeriu duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre kurtheve dhe mashtrimeve të shejtanit.

Peshorja në këtë çështje është që njeriu ta ketë gjithmonë para syve peshoren e botës tjetër (Ahiretit). Një gjë e çuditshme është se vetë shejtani e ka pranuar se nuk ka pushtet mbi ata që besojnë. Ai madje bëri përjashtim edhe në fjalimin e tij kur sfidoi dhe u betua para Allahut të Lartësuar duke thënë: “Do t’i devijoj të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë.” Po ashtu ai tha: “Dhe shumicën e tyre nuk do t’i gjesh mirënjohës.” Kjo do të thotë se ekziston një pakicë mirënjohëse dhe një shumicë jo mirënjohëse.

Drejtuesi i emisionit:Pse ndryshon ndikimi i shejtanit tek njerëzit?

Shejh Muhamed Xhasimi: Kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Disa njerëz mendojnë se shejtani dhe Iblisi janë shumë të fuqishëm dhe se ata mund t’i devijojnë njerëzit nga rruga e Allahut, madje disa edhe i frikësohen shumë. Në disa shoqëri, për shkak të zakoneve të këqija, njerëzit madje kanë therur kurbane për shejtanët për t’u mbrojtur nga e keqja e tyre. Në disa besime të tjera ekziston edhe ideja se shejtani ka një lloj sundimi dhe autoriteti.

Por Kurani i rrëzon të gjitha këto botëkuptime kur thotë: “Vërtet, kurthi i shejtanit është i dobët.”

Pra ai është i dobët në thelb; ai kurrë nuk ka qenë i fortë. Vetë formulimi kuranor tregon vazhdimësi: ai gjithmonë ka qenë i dobët.

Pse atëherë ndikimi i tij ndryshon tek njerëzit? Sepse çështja lidhet me forcën e besimit dhe bindjes së njeriut, me sigurinë e tij në Allahun dhe me ndërgjegjësimin për praninë e Allahut me të.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ka pushtet vetëm mbi ata që e marrin për mbrojtës.”

Domethënë: në momentin që njeriu ia dorëzon veten shejtanit, është sikur i thotë: “Këto janë çelësat e zemrës sime, merri.”

Natyrisht, njerëzit nuk e bëjnë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke u marrë personalisht me shejtanin, por e bëjnë duke vazhduar në mëkate, duke penguar rrugën e Allahut, dhe duke lënë pendimin. Kjo në thelb do të thotë se njeriu ia dorëzon çelësat shejtanit, i hap dyert dhe i thotë: “Eja, ulu me mua dhe më udhëhiq drejt shthurjes.” Allahu na ruajtë.

Ndërsa myslimani që e ndien gjithmonë praninë e Allahut, nuk e përqendron mendjen te shejtani. Mendja e tij është e përqendruar te kënaqësia e Allahut. Ai mendon kështu: Nëse e di se Allahu e do një vepër, ai nxiton ta bëjë. Nëse e di se Allahu nuk e do një vepër, ai largohet prej saj.

Por ndonjëherë ndodh një përplasje mes dëshirave të njeriut dhe asaj që dëshiron Allahu. Pikërisht këtu ndodh fitoreja e vërtetë. Kjo është ajo që mund ta quajmë “pengesë e besimit”.

Çdo njeri ka pengesat e veta në jetë: dikush në pasuri, dikush në epshe, dikush në ambicie, quaje si të duash.

Pyetja vendimtare në çdo moment është: A do ta vendos dëshirën e Allahut mbi dëshirat e mia, apo do t’i vendos dëshirat e mia mbi atë që dëshiron Allahu?

Dikush mund të thotë: “Allahu është Falës dhe Mëshirues.” Kjo është e vërtetë; Allahu i Lartësuar është vërtet Falës dhe Mëshirues. Por pyetja është: a ia vlen që njeriu, në atë çast, të bjerë nga sytë e Allahut të Lartësuar? Apo të jetë në gjendje të tillë sa të thuhet për të: “Besimi i tij ende është i dobët; le ta shtyjmë dhe ta lëmë pak, ndoshta forcohet më vonë”? Apo më mirë të bashkohet me karvanin e njerëzve të mirë?

Pra vendimi, në fund të fundit, është në dorën tonë. I suksesshëm është ai që kërkon ndihmë nga Allahu i Lartësuar, ashtu siç e mësojmë në suren Fatiha: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë.”

Mirëpo, pasi u sqarua se kurthi i shejtanit është i dobët dhe se ai është i pavlerë para Allahut të Lartësuar, dhe se për myslimanin është shumë e lehtë të thotë: “Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar”, dhe kështu shejtani largohet me kurthin dhe vesveset e tij, atëherë lind një pyetje tjetër:

Drejtuesi i emisionit: Po vërtet, shejtanët prej njerëzve. A janë ata ndonjëherë më të rrezikshëm për myslimanin se shejtanët prej xhinëve? Sidomos në këtë muaj të bekuar, kur – sipas hadithit të Profetit (a.s) – shejtanët prangosen ose prangosen më të këqinjtë prej tyre. Megjithatë, mbetet një kategori shumë e rrezikshme që përbën pjesën më të madhe të shpërqendrimeve në këtë muaj.

Shejh Muhamed Xhasimi: Në këtë çështje, Kurani nuk na ka lënë pa përgjigje. Ashtu siç ka shejtanë prej xhinëve, ka edhe shejtanë prej njerëzve. Madje disa dijetarë kanë thënë se shejtanët prej njerëzve ndonjëherë janë më të dëmshëm se shejtanët prej xhinëve.

Sepse shejtani prej xhinëve, kur përmendet Allahu, tërhiqet dhe largohet; ai fshihet dhe kërkon strehë për të mos dëgjuar përmendjen e Allahut, pastaj mund të kthehet më vonë. Por shejtani prej njerëzve është i pranishëm dhe nuk largohet vetëm sepse përmendet Allahu.

Allahu i Lartësuar ka përmendur edhe bashkëpunimin mes shejtanëve prej njerëzve dhe prej xhinëve, duke thënë: “Kështu i kemi bërë çdo profeti armiq, shejtanë prej njerëzve dhe prej xhinëve, të cilët i pëshpërisin njëri-tjetrit fjalë të zbukuruara për mashtrim.”

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një sistem i organizuar ku ata mblidhen fizikisht bashkë. Kurani përdor fjalën “shpallje” (ilham/pëshpëritje), që tregon një lloj komunikimi mes botëve, një çështje që kërkon shpjegim më të gjerë në një vend tjetër.

E rëndësishme është se shejtanët u pëshpërisin shejtanëve prej njerëzve, ua zbukurojnë idetë dhe u hedhin mendime në zemra. Njeriu mund të mendojë se ka ardhur me një ide të madhe dhe të mrekullueshme, ndoshta edhe me fitime të mëdha, por ajo nuk është peshuar me peshoren e devotshmërisë, nuk është peshuar me peshoren e “La ilahe il-la Allah”, dhe nuk është peshuar me peshoren e Ahiretit.

Pastaj ndodh që arrijmë në një gjendje si kjo që shohim sot: kur vjen Ramazani, befas shohim se sasia e serialeve dhe e gjërave shpërqendruese, që e largojnë njeriun nga qëllimi i adhurimit dhe devotshmërisë, grumbullohet pikërisht në këtë muaj të madh.

Sikur shejtanët prej njerëzve dhe prej xhinëve të kenë bashkëpunuar: edhe nëse shejtanët janë prangosur, ata sikur kanë përfaqësues që punojnë për ta. Madje gjejnë njerëz që bëhen shejtanë prej njerëzve dhe punojnë për ta pa asnjë shpërblim.

Prandaj çdo njeri që bën një vepër pa e peshuar me peshoren e devotshmërisë dhe të Ahiretit, në të vërtetë pengon nga rruga e Allahut të Lartësuar.

Madje bëhet edhe më e rrezikshme kur vepra që njeriu paraqet i largon myslimanët nga një synim i madh i fesë së tyre. Agjërimi është një nga shtyllat e fesë, agjërimi i këtij muaji të bekuar. Allahu i Lartësuar e ka bërë qëllimin dhe objektivin e tij devotshmërinë (takvanë). Gjithashtu Ai e ka lidhur këtë muaj në mënyrë të veçantë me Kuranin.

Prandaj ekziston një gjendje e veçantë që duhet ta ketë besimtari kur vjen ky muaj. Por njeriu befasohet kur sheh se përballet me një ushtri të tërë të shejtanëve prej njerëzve dhe prej xhinëve, me shpërqendrime të shumta: netë të gjata pa qëllim, programe të ndryshme, e gjëra të tjera pa fund.

Dhe sikur të ishin këto programe vërtet programe të Ramazanit – që të nxisnin për mirësi, për afrimin tek Allahu, ose për mësimin e historisë – do të ishte diçka tjetër. Por ato shpesh shkatërrojnë, dhe përmbajnë forma të shthurjes dhe të mëkatit që janë të dukshme për këdo.

Ne nuk po i shpifim kur themi: sikur të paktën të nxisnin për mirësi dhe devotshmëri. Madje dikush mund të thotë se edhe vetë serialet – sado të jenë – përmbajnë ndalesa dhe probleme sheriatike.

Prandaj thelbi është që njeriu, nëse largohet nga këto gjëra dhe e kujton qëllimin e lartë për të cilin Allahu e ka ligjësuar agjërimin, atëherë do ta kuptojë vërtet këtë muaj.

Allahu i Lartësuar ka dashur ta mëshirojë umetin e hazreti Muhamedit (a.s), prandaj u ka dhuruar këtë muaj si një dhuratë. Madje disa dijetarë dhe shumë kërkues të dijes në të kaluarën i ndalonin ligjëratat, mësimet dhe këshillat gjatë këtij muaji të bekuar, në mënyrë që të përqendroheshin plotësisht në adhurimin e Allahut. Ata e kishin kuptuar mirë këtë muaj: lanë edhe diçka shumë të vlefshme – si mësimi dhe dija – për t’u përkushtuar më shumë adhurimit.

Këtu ka një kuptim të rëndësishëm që duhet ta kujtojë çdo besimtar në jetën e tij: “numëruesi i veprave” në fletët e veprave fillon nga Ramazani dhe përfundon në muajin Shaban.

Drejtuesi i emisionit: Si?

Shejh Muhamed Xhasimi: Thuhet se veprat paraqiten para Allahut të Lartësuar katër herë, në katër mënyra:

Ka një paraqitje të përditshme, siç përmendet në transmetime: ngjiten tek Allahu melekët e ditës dhe melekët e natës dhe i tregojnë – edhe pse Ai është më i Dituri – për veprat e robërve.

Ka edhe një paraqitje tjetër të veprave që quhet javore, e cila ndodh çdo të hënë dhe të enjten, ku veprat ngjiten te Allahu i Lartësuar.

Gjithashtu ekziston edhe një paraqitje vjetore, e cila ndodh në muajin Shaban. Kur Profeti (a.s) u pyet për agjërimin në Shaban, ai tha se ky është muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit, dhe shumë vepra falen dhe ngjiten para Allahut gjatë tij.

Kjo do të thotë se ngjitja e veprave tek Allahu në Shaban është fillimi i llogaritjes për Ramazanin, pra Ramazani është pika e nisjes së një cikli të ri të veprave të devotshmërisë. Kjo na tregon se duhet të ketë ndikim dhe rezultat të Ramazanit; është një proces gradues.

Disa njerëz mendojnë gabimisht se (thonë me vete): “Mjafton që të jem në Ramazan, dhe problemi im njëvjeçar do të zgjidhet.” Jo, Allahu i Lartësuar e ka ligjëruar këtë muaj vit pas viti, që njeriu të rritet dhe të konsolidohet në adhurim gradualisht. Prandaj nuk është e mundur që dikush që ka 40, 50 apo 60 vjet në Islam të ketë një adhurim si dikush që ka vetëm 20 vjet.

Pra, çfarë bën Ramazani? Ai është ushqim shpirtëror, Allahu e ka dhuruar si shkollë dhe kurs shpirtëror gjatë një muaji të tërë, ku të gjitha llojet e adhurimeve dhe devotshmërisë janë të mundshme.

Tani, duke u kthyer te shejtanët prej njerëzve, a mund të kemi mendim të mirë për ta, duke thënë se shpërqendrimet janë rastësore, pa ndonjë plan pas tyre? Jo. Ka gjithmonë udhëheqës që planifikojnë korrupsionin dhe shkatërrimin, dhe ka të tjerë të dobët që i ndjekin.

Ne nuk themi se çdo njeri është një nga udhëheqësit e shpërqendrimeve; shumë janë thjesht të pafajshëm që bëhen ushtarë të shejtanit.

Në Ditën e Kiametit, ata do të debatojnë mes tyre dhe do të mallkojnë njëri-tjetrin: ata të dobët do të thonë: “Ju na udhëzuat ne në këtë!”, ndërsa udhëheqësit do t’u përgjigjen: “Jo, ju ishit kriminelë dhe zemrat tuaja ishin të korruptuara që nga fillimi.”

Po ashtu, Allahu ka lejuar që në çdo qytet të ketë një udhëheqës të korruptuar, që të bëjnë kurthe dhe mashtrime.

Pra, një njeri që bën një vepër dhe mendon se është vetëm, mund të ndihmohet nga njerëzit pranë tij, duke u këshilluar dhe udhëzuar. Ndonjëherë edhe një fjalë e thënë në vendin e duhur mund ta kthejë atë njeri në një njeri të devotshëm e të përkushtuar.

Por udhëheqësit e mohimit, të shthurjes dhe të së keqes duhet të jenë të qartë për rrezikun e tyre, sepse ata kanë strategji të reja shpërqendrimi, gjithmonë shpikim gjëra të reja për t’i larguar njerëzit nga rruga e Allahut.

Drejtuesi i emisionit: Po shumë e vërtetë. Shejh i nderuar. Ashtu siç e përmendët edhe më parë, njeriu ka detyrime, obligime dhe përgjegjësi ndaj të cilave duhet të bëjë shumë kujdes që të mos shpërqëndrohet. Përveç këtij lloj shpërqendrimi a ka ndonjë lloj tjetër?

Shejh Muhamed Xhasimi: Po, disa nga shpërqendrimet janë në fushën e lejuarës, dhe këtu lind pyetja: çfarë mesazhesh mund t’i dërgojmë grave në shtëpi? Për shembull, shpesh ato janë të zëna me gatimin e ushqimit, përgatitjen e ëmbëlsirave dhe ushqimeve të ndryshme, gjë që i lodh gjatë gjithë ditës dhe shpesh nuk u lejon të kryejnë adhurimin pas iftarit.

Për këtë pyetje, Kurani na ka dhënë udhëzimin në suren Tahrim, e cila lidhet me modelin e grave besimtare. Kush e mban mend këtë sure, e kupton se Allahu i Lartësuar ka zbritur aty një ajet që është udhëzim dhe parim për shtëpitë myslimane që janë të edukuar në pendim: “O ju që keni besuar, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, ngrohja e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”

Pyetja lind natyrshëm: O Zot, si mund të ruaj veten dhe familjen time nga ky zjarri që ka si lëndë djegëse njerëzit dhe gurët?

Fillimi është pendimi tek Allahu, sepse menjëherë pas kësaj, Allahu thotë: “O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me pendim të sinqertë.”

Pendimi duhet të jetë i vazhdueshëm, çdo ditë dhe natë. Pastaj, njeriu duhet të arsimojë veten në prioritetet e tij, të mësojë rregullat e fesë, të kuptojë urdhërimet e Sheriatit. Nuk është e nevojshme të bëhet një jurist i madh, por duhet të kuptojë, për shembull, urtesinë e agjërimit dhe pse është i ligjshëm dhe i rëndësishëm.

Gjithashtu, njeriu nuk duhet të merret me shpërqendrime, por të udhëzojë familjen dhe fëmijët, edhe pse kjo mund të jetë e vështirë për ta. Një shembull i thjeshtë: kur një grua përgatit ushqime, ajo mund të përjetojë këtë adhurim duke u kujtuar Allahun, duke bërë dhikër me gjuhën e saj gjatë gatimit.

Nëse e bashkojnë familjen për të lexuar Kuranin, për të dëgjuar një mësim nga sira profetike, ose për të recituar diçka, kjo bëhet një mundësi për bashkim në të mirë dhe devotshmëri.

Edhe kur gratë përgatisin ushqimet, mund të konsiderojnë këtë punë si adhurim, veçanërisht nëse nuk e teprojnë me shumë gjëra që lodhin trupin dhe e largojnë zemrën nga devotshmëria. Për shembull, në rastet e darkave të shumta dhe të bollshme gjatë Ramazanit, mund të vendosim rregulla të thjeshta, duke bërë që çdo person të sjellë vetëm një ushqim të caktuar dhe të mos teprojnë, dhe çdo mbetje mund të dhurohet si sadaka.

Gjithashtu, në këto mbledhje mund të lexohet një ajet kur’anor ose një hadith dhe të recitohet Kurani. Kështu, bashkimi bëhet për devotshmëri dhe të mirë, dhe çdo veprim – edhe gatimi – kthehet në adhurim nëse zemra dhe gjuha i përkushtohen Allahut.

Padyshim, dhikri (përmendja e Allahut) është një nga adhurimet më të lehta dhe më të shpërblyera që Allahu ka ligjëruar, dhe ka shpërblim të madh për ata që e bëjnë atë edhe gjatë aktiviteteve të përditshme.

Allah thotë në Kuran: “Prandaj përmendeni Mua, dhe unë do t’ju përmend juve.”

Domethënia është: nëse e përmend Allahun me gjuhën tënde, Ai do të të përmend në Mbretërinë e Lartë. Por kjo kërkon udhëzim dhe përkushtim; shumë njerëz harrojnë këtë dhe shpërqendrohen nga punët e kësaj bote. Madje edhe ky adhurim, që është nga më të lehtat dhe më të shpërblyerat, varet nga udhëzimi hyjnor.

Pra, nëse mendojmë që bota është e mbushur me shpërqendrime, lojëra dhe harresa, dhe Ramazani është koha e veçantë, atëherë ai duhet të jetë ndalesë dhe mjet për të shmangur shpërqendrimet që vazhdojnë gjatë gjithë vitit.

Për të bërë këtë praktikisht, fillimisht njeriu duhet të njohë kurthet dhe dredhitë e shejtanit, dhe të kuptojë se Shejtani është gjithmonë i pranishëm. Më pas, mund të vendoset një program praktik që ndihmon në ndjekjen e rrugës së drejtë dhe hapjen e derës së përkushtimit ndaj Allahut.

Një ide praktike është të caktohet “ora e artë”,

Drejtuesi i emisionit: Ora e artë?! Çfarë do të thotë kjo?

Shejh Muhamed Xhasimi: Ajo është një orë specifike çdo ditë, për shembull një orë para ezanit të sabahut ose pas faljes së sabahut deri në lindje të diellit. Kjo “ora e artë” i jep njeriut mundësinë të ndahet plotësisht nga gjërat e kësaj bote dhe të përkushtohet për adhurimin e Allahut, lutjet dhe dhikrin. Kjo kohë është e shenjtë dhe e bekuar, dhe e përjetuar nga të devotshmit e mëparshëm.

Më tej, mund të nxjerrim një koncept tjetër nga historia e Merjemes e cila tha: “Unë e kam përkushtuar veten për të agjëruar për të Mëshirshmin dhe sot nuk do të flas me njerëzit.”

Nga kjo mund të nxjerrim idenë e një “agjërimi dixhital”. Sot, shpesh ajo që na shpërqendron më shumë janë telefonat celularë. Shumë njerëz kalojnë 10–12 orë në telefon, duke humbur kohën e vlefshme për adhurim.

Pra, njeriu mund të fillojë duke larguar telefonin nga vetja për një periudhë të caktuar, gradualisht duke rritur kohën e përkushtimit për Allahun. Kjo kohë nuk është për të fjetur, por për program praktik adhurimi: recitim i Kuranit, dhikër, falja e namazit vullnetar, salavat për Profetin, dhe çdo formë tjetër e shumëfishimit të adhurimeve.

Kështu, Ramazani bëhet kohë e përqendruar dhe e strukturuar për devotshmëri, duke shmangur shpërqendrimet e zakonshme të jetës së përditshme.

Por le ta quajmë këtë “agjërim dixhital”, dhe kjo është me të vërtetë një zakon i rëndësishëm, jo vetëm gjatë Ramazanit, por edhe jashtë tij. Nëse njeriu e vendos këtë për veten e tij, do t’i ndihmojë në përkushtimin ndaj Allahut.

Më pas, le të propozojmë një ide tjetër: programi i partnerit për llogaritje dhe përgjegjësi. Sa bukur është të inkurajojmë njëri-tjetrin për mirësinë dhe devotshmërinë. Ky është një koncept që shpesh nuk njihet mjaftueshëm, por Allahu e ka theksuar në një sure të tërë, suren Asr. Allahu përmend se ata që besuan, bënë vepra të mira dhe u këshilluan për të vërtetën dhe durimin, janë të shpëtuar.

Kështu, shoqëria e mirë dhe partnerët për t’u këshilluar janë të rëndësishëm. Ti mund të kesh një partner të tillë: të vendosni qëllime të Ramazanit dhe të kontrolloni çdo ditë nëse i keni arritur. Nëse gaboni, të këshilloheni dhe të ndihmoni njëri-tjetrin. Mund të organizoni takime për Kuranin, për diskutime, për studim të kuptimeve, ose të alternoni në faljen e taravitëve dhe leximin e Kuranit. Ky është parimi i madh dhe i pandashëm për çdo njeri të devotshëm: të kërkojë ndihmën e Allahut.

Drejtuesi i emisionit: Në suren A’raf, Allahu thotë: “Ata që janë të devotshëm, nëse i prek një prekje nga Shejtani, kujtojnë (Allahun), dhe kështu bëhen të dukshëm.” Si të zhvillojmë këtë ndjeshmëri ndaj prekjes së Shejtanit?

Shejh Muhamed Xhasimi: Kjo sure ka një sekret në këtë drejtim. Ky ajet vjen në fund të sures, pasi Allahu ka treguar mashtrimet e Iblisit në fillim të saj, dhe tregon si duhet të veprojë njeriu i devotshëm kur ndikohet nga Shejtani.

Fjala “kujtojnë” është e qëllimshme: nuk specifikohet çfarë të kujtojnë, sepse njeriu duhet të reflektojë vetë. Ai kujton madhështinë e Allahut, Xhenetin, pasojat e veprimeve, të gjitha kuptimet e sakta. Kur ata kujtojnë, bëhen të vetëdijshëm dhe e kuptojnë realitetin e situatës; pendohen dhe kthehen tek Allahu.

Pas Ramazanit, mbetet çështja e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë në rrugën e Allahut. Shkenca na tregon se neuronet formojnë lidhje të reja, dhe mendja fiton aftësi të reja kur një veprim përsëritet për të paktën tre javë deri në dy muaj.

Pra, nëse një person gjatë këtij muaji agjëron, lexon Kuran, fal namazin dhe jep sadaka, kjo do ta ndihmojë të qëndrojë i përkushtuar në adhurim dhe devotshmëri edhe pas Ramazanit.

Ky është qëllimi i muajit të bekuar, dhe Allahu e bekoftë.

Drejtuesi i emsionit: Hoxhë Muhamed Xhasimi, imami i xhamisë së imam Muhamed ibn Abdul Uahhab në Doha. Faleminderit shumë për këtë pjesëmarrje. Zoti ju shpërbleftë.

Për shikuesit tanë: Këto janë ditët e Ramazanit; ne sapo po përgatiteshim për t’i pritur dhe tani dita po kalon shpejt. Allahu thotë: “Ditë të numëruara”. Lum ata që agjërojnë, falin namaz dhe japin sadaka; humbje dhe pendim për ata që shpërfillin veten dhe ndjekin epshet e tyre duke u shpërqendruar.

Paqe dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju.

Burimi: Aljazeera.net

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Trending