Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta lidhur me konfliktin me Iran, duke thënë se sulmet amerikane ishin të domosdoshme për të shpëtuar Israel.
Gjatë një fjalimi në një takim të republikanëve në Miami, Trump deklaroi se nëse SHBA nuk do të kishte kryer sulmet ajrore ndaj Iranit, situata do të ishte shumë më e rëndë për Izraelin.
Sipas tij, nëse operacioni me bombarduesit B-2 nuk do të ishte realizuar, Izraeli mund të ishte “zhdukur” nga sulmet iraniane. Ai shtoi se Irani ishte shumë pranë zhvillimit të armëve bërthamore dhe se brenda pak javësh mund të kishte arritur këtë kapacitet.
Trump gjithashtu theksoi se inteligjenca amerikane kishte informacione se Irani po përgatitej të sulmonte brenda një jave, ndaj sipas tij sulmi i SHBA ishte një veprim parandalues.
Presidenti amerikan shtoi se operacionet ushtarake kundër Iranit po ecin mirë dhe se konflikti mund të përfundojë shpejt. Ai theksoi se qëllimi kryesor është të shkatërrohen kapacitetet ushtarake dhe programi bërthamor i Iranit.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të përbashkëta të SHBA dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane.
Në reagimet e mëparshme, Trump kishte pohuar gjithashtu se Irani ishte gati të godiste i pari, ndërsa SHBA vendosi të veprojë përpara për të parandaluar një përshkallëzim edhe më të madh të konfliktit.










